Koordinatorja e Komitetit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Milva Ekonomi shpreh bindjen se konferenca e donatorëve që do të mbahet në datë 17 shkurt në Bruksel do të ketë një impakt pozitiv për Shqipërinë.Në një intervistë për ATSH-në, Ekonomi shpjegon metodologjinë e hartimit të raportit të nevojave të rindërtimit, duke u bazuar në qasjen ‘ndërto më mirë në të ardhmen’ dhe duke e vendosur njeriun në qendër.

Sipas saj, pavarësisht një ngadalësimi që pëson ekonomia për shkak të goditjeve nga fatkeqësitë natyrore, procesi i rindërtimit do të luajë një rol të rëndësishëm, duke bërë që ekonomia të kapi sërish nivelin e parashikuar.“Kur ne filluam të punojmë për planifikimin e nevojave, patëm në konsideratë disa gjëra të rëndësishme që vijnë nga metodologjia ndërkombëtare. Dhe këto lidhen me dy qasje. Qasja kryesore ishte ‘ndërto më mirë në të ardhmen’ dhe duke patur në qendër njeriun, i cili duhet të merrte shërbime më të mira në të gjitha fushat, në arsim, shëndetësi, strehim, por dhe shërbime të tjera që i takojnë atij, si furnizimi me ujë apo energji elektrike”, tha Ekonomi.

Mbi bazën e këtyre, vijoi Ekonomi, dhe duke ndjekur pa dyshim metodologjinë ndërkombëtare, PDNA (Objekti i Vlerësimit të Nevojave pas Katastrofave (Post-Disaster Needs Assessments – PDNA), që është një metodologji e dakordësuar midis tre organizatave të zhvillimit global, si BE OKB dhe BB u vlerësua se nevoja për rindërtim shkon 1 miliard e 73 milionë euro.Këto shifra, thotë ajo, të dakordësuara edhe me partnerët ndërkombëtar i komunikuam me publikun shqiptar.Ekonomi vuri në dukje se fushat ku u punua, kryesisht u lidhën me ato që pësuan më shumë dëme, por edhe që dhanë humbje në aktivitetin e ardhshëm të një subjekti, apo hoteli, apo edhe vet administratës lokale për të funksionuar e për të dhënë më mirë shërbimet ndaj popullatës.

“Ne e ndamë në shëndetësi, arsim, strehim pastaj në fushat që lidheshin me sektorin produktiv, industrinë në përgjithësi, turizmin, bujqësinë dhe trashëgiminë kulturore”, u shpreh Ekonomi.Për të përllogaritur si dëmet edhe nevojat për rindërtim, Ekonomi theksoi se u angazhuan një numër i lartë ekspertësh vendas dhe të huaj.“Nuk ishte një proces i lehtë, ishte kompleks, që angazhoi shumë ekspertë vendas dhe ndërkombëtar. Numri i ekspertëve që punuan për të grumbulluar informacion në fusha të ndryshme shkoi 90”, shpjegoi Ekonomi.

Konferenca e donatorëve që do të mbahet në datë 17 shkurt në Bruksel, theksoi ajo, do të jetë një shenjë që tregon për seriozitetin e të gjithë këtij procesi me të cilën qeveria punoi.“Konferenca e donatorëve që do të mbahet në datë 17 shkurt në Bruksel, do të jetë një shenjë që tregon jo vetëm për seriozitetin e të gjithë këtij procesi me të cilën qeveria punoi, pasi u reagua shumë shpejt si nga qeveria ashtu edhe nga i gjithë grupi i ekspertëve ndërkombëtar për të sjellë këtë produkt. Këta janë faktorë që do të merren parasysh në konferencën e donatorëve. Ne shpresojmë që konferenca e donatorëve të ketë një impakt shumë pozitiv për Shqipërinë”, deklaroi ajo.