Rreth 100 aplikime janë kryer online nga qytetarët gjatë ditës së sotme në bashkinë e Durrësit për programin e rindërtimit. Kryetari në detyrë i bashkisë së Durrësit, Zhuljen Varfaj ftoi qytetarët që të bëjnë vet deklarimin pranë sporteleve në çdo njësi administrative.
“Deri në orën 15:10 në sistemin e aplikimit online për programin e rindërtimit në bashkinë e Durrësit janë shënuar 100 aplikime. Ftoj qytetarët që të bëjnë vet deklarimin pranë sporteleve në çdo njësi administrative ku stafi i trajnuar asiston qytetarët për të kryer një proces të rregullt e të shpejtë”, deklaroi Varfaj.
Duke nisur nga data 29 janar të gjithë qytetarët të cilët kanë pësuar dëme nga tërmeti i fortë i mëngjesit të 26 nëntorit të vitit që lame pas që goditi vendin tone me magnitude 6.4 të shkallës Rihter, duhet që të aplikojnë në platformën online të rindërtimit dhe të deklarojnë të dhënat për pasojat që ka shkaktuar tërmeti në banesat e tyre.
Aplikimi në këtë platformë është i detyrueshëm për të gjithë që kërkojnë dëmshpërblim. Platforma do të ndihmojë që qeveria të ketë të saktë sipërfaqen që do të rindërtohet, zonën dhe llojin e banesës, ndërsa vetë qytetarët do të shohin online ecurinë e kërkesës dhe rindërtimit të shtëpisë së re. Deri tani fatura e dëmeve të tërmetit arrin në 1.1 miliardë euro, por raporti përfundimtar është ende në fazë hartimi.