“Partia Socialiste në 2021, do të kërkojë një mandat të tretë, me të njëjtën qeveri, me të njëjtin kryetar partie, me të njëjtin program”, tha sot deputeti i PS-së, Ervin Bushati, në një intervistë për ATSH-në. Bushati tha se Partia Socialiste ka një përgjegjësi të dyfishtë ndaj qytetarëve shqiptarë, jo vetëm si partia politike më e madhe në vend, por dhe si mazhorancë, kështu që përkushtimi ynë është i shumëfishuar në këtë pikë.

“Ne jemi partia më e madhe politike e të gjithë shqiptarëve dhe kemi një përgjegjësi dhe përkushtim që ndryshon nga partitë e tjera, aq më tepër që jemi sot partia e vetme në mazhorancë dhe duhet të çojmë jo vetëm para reformat, por të kemi marrëdhënien tonë politike me njëri-tjetrin në një format të shëndetshëm dhe të jemi në garat që do vijnë”, tha ai.

Bushati theksoi se në 2021 ne do të kërkojmë një mandat të tretë me të njëjtën qeveri, me të njëjtin kryetar partie, me të njëjtin program dhe mendojmë që duhet të jemi para qytetarëve me një rezultat të qartë të punëve që kemi bërë. Të gjitha këto do të trajtohen në kongresin e PS-së, që në fakt është forumi më i madh i Partisë Socialiste dhe duke e parë në dy prizmat: si parti politike dhe si mazhorancë, dhe duke reflektuar të gjitha ndryshimet që kemi bërë e rigjenerimin e strukturës sonë, patjetër që kemi menduar të kalojmë në një stad më të zhvilluar të prezantimit të këtij forumi, siç është kongresi i PS-së.

“Forumi i Kongresit ka kaluar një proces zgjedhor transparent të saktë dhe me garë ku u zgjodhën me një anëtar, një votë, të gjithë delegatët e kongresit dhe kongresi është ai që gjeneron gjithë pushtetet politike, brenda PS-së, zgjedh Asamblenë Kombëtare e cila zgjedh një kryesi, e cila ka mandatin për të drejtuar PS deri në zgjedhjet 2021”, tha ai.