Nga Lorenc Vangjeli
Premiera e filmit nisi me vonesë. Gjëmime të forta daullesh shoqëruan hyrjen në sallë të aktorëve. Pak më shumë se daullet gjëmoi ankesa e Robert Ndrenikës. Tempulli i gjallë i kinemasë shqiptare u ankua për orën e pritjes. Salla e duartroket. Ermali i përulet dhe i kërkon ndjesë. Pak më parë ishte ankuar në të njëjtën mënyrë një tjetër ikonë e magjisë së filmit shqiptar. Roza Anagnosti kishte marë me vete nga e shkuara e saj të njëjtën buzëqeshje që ka trallisur breza tërë shqiptarësh. Shumëkush ngutej të vinte rrotull hollit dhe sallës që t’i binte në sy sharmit të Vera Grabockës dhe t’i jepte dorën grupit të njerëzve që e mbanin në qendër. Ishte Valbona Selimllari, por mungonte Alketa Vejsiu. Të tjerë personazhe arti e politike, të medias apo biznesit, frymonin në mes të parfumeve që të mernin frymën.
Parada e modës shpaloste edhe Tiranën që punon, edhe Tiranën vanitoze. Aty gjeje një mori bukuroshesh që e shohin botën nga instagrami, si ato vajzat shumëkombëshe që shohin kalimtarët nga dritaret e Amstërdamit. Ishin personazhe të së shkuarës që shijojnë si verë e vjetër, por i mungojnë menusë së re së modës, përgjigjeshin në apel mimika teneqeje, krijuar nga e njëjta bisturi kirurgu dhe dëshmonin prani edhe englendisje otomane me bizhu Evrope; në premierën e filmit të Ermal Mamaqit me dashuri për Tropojën, ishte gjithë Tirana që zgjodhi të hajë pop corn e të pijë cola. Filmi me shumë bashkautorë, regjizorë e aktorë, “Unë e dua Tiranën” kishte nisur të luhej për më shumë se një orë e gjysëm në hollin e Pallatit të Kongreseve. Kaq zgjati pritja e publikut para se Ermali “remake” të ngjitej në Tropojë për të rënë në dashuri me Valbonën e Tropojës, ndryshe nga sa kishte ndodhur nja dhjetë vjet më parë në Itali – një ribërje filmi francez – kur dikush zbriti nga Milanoja në veri, për të rënë në dashuri me Castellabaten e jugut.
Nuk mungonte as rreshti i mërzitshëm i reklamave: filmat kushtojnë dhe në këtë botë, as dashuria nuk jepet falas. Dikush paguan gjithmonë. “Paratë janë vetëm një koncept”, thoshte dikur Doktor Berisha, tropojani më i famshëm i Tiranës, i cili i mungonte çuditërisht filmit. Për ironi të fatit, personazh i filmit ishte kundërshtari me i ashpër i tij, që me Tropojën e ka lidhur vetëm harta për shumicën dërmuese të jetës së tij. Edi Rama i kishte thënë po filmit të Ermalit. Mbasi kishte bërë aktorin në jetë, mbasi kishte interpretuar pjesë që ja kishin shkruar të tjerë, mbasi kishte shkruar skenar për të tjerë aktorë jete, mbasi kishte provuar role karakteresh dhe kishte venë pafund në lojë karaktere të deformuar, luajti dhe vetë në film. Duke i afruar Tiranës vanitoze një fabul të re debati. Buzëqeshje llamarine nga ndjekësit e tij dhe acid neverie nga kundërshtarët. Duke krijuar sërish keqkuptimin e rradhës dhe kurthin e politik në të cilin bien rregullisht të dyja palët.
Edi Rama ishte serioz në filmin e Ermal Mamaqit. Filmi të bënte për të qeshur edhe pse nuk kishte natyrisht as shkëlqimin e Hollyëood-it e të Kanës dhe as sofistikimin e Berlinit apo të Venecias. Ai ishte një operacion marketingu politik i të parit dhe jo vetëm një sprovë artistike e të dytit. Kryeministri, personazhi i dajës në film, që nuk do të lejonte të martohej nipi me zor, zbret në skenë nga helikopteri. I kënduar siç është, me të gjitha gjasat i kujtohet se edhe grekët e lashtë dhe latinët, kishin zbuluar me kohë se “Deus ex machina”! Në Tiranën e sotme ku drejton individi dhe nuk lëvizin institucionet, Rama ka kohë që sillet si zot edhe pse ai vetë zotin e përfytyron me fytyrën e tij dhe paruket të gjata të rolit.
Vullneti i tij është gjithçka në Tiranë. Bën shiun dhe diellin, sipas humorit të tij. Mbas 30 vjetësh në jetën publike, ai është i bindur se ka fuqi të epërme në këtë vend. Kush i qan hallin që administrata e ka lënë në hall, ai e zgjidh, kush ka problem me shtëpinë nga tërmeti, ai ja ndërton, kush do të bëjë karrierë, të jetë i suksesshëm, të ndërtojë rrugë apo pallate, të marë PPP apo të jetë KÇK, kryeministri, falë një mijë e një rrethanave, është në gjendje ta bëjë dhe ta afrojë.
Dhe kjo nuk është hiç diçka e re, kështu ka qenë edhe vullneti i Sali Berishës. Para tij kështu ka qenë Zogu, Enveri dhe kështu do të vazhdojë të jetë sa kohë ky vend do të zgjedhë të qëndrojë atdhe i njishit, i fisit dhe i prijësit. Edhe nëse kalohet ylberi dhe Basha, përkundër të gjitha basteve që edhe vetë ve kundër vetes, arrin të bëhet kryeministër ndonjëherë.
Kjo do të ishte metafora gjigante që as Ermalit, autorit të një ore e gjysëm gazmore në ekranin e kinemasë, nuk i ka vajtur mendja se luhet në Tiranë. Ai thjesht ka zgjedhur të marë kontrastin mes të vërtetës dhe mitit, mes reales që ndodh në jetë dhe asaj që shkruhet në media, që recitohet në politikë dhe besohet në publik; kontrastin mes Tropojës siç e dinte ai dhe asaj mrekullie të Perëndisë që e kanë demonizuar ata që edhe Perëndia i ka bërë lanet.
Kush kërkon tjetër gjë nga filmi i Ermalit, gabon! Kush i kërkon karaktere realë në komedi, duhet të mësojë se bota deformohet në sytë e komedianit, kush thotë se tropojanët nuk janë sic dalin në film, kanë të drejtë, por komendia nuk është foto celulari pa filtra Instagrami, kush gjykon se plaku tropojan dhe gruaja e tij duken qesharakë, ka pritshmëri të gabuar nëse do t’i donte ata si të dalë nga Eposi i Kreshnikëve. Eshtë njëlloj si të nervozohesh se nuk gjen vajguri në markatën e lagjes, të kërkosh anestezi tek berberi dhe të presësh flokë e thonj tek dentisti. Ata që kërkojnë Tarantinon në Tiranë, sic po tentojnë të gjithë të bëjnë mbas filmit, do të gjenin po të njëjtin zhgënjim nëse do të prisnin të zbulonin naftë në zyrën e Edi Ramës. Filmi është komedi marketingu dhe maketing komik i vetë jetës shqiptare.
Gjithë ata që duket se po mbrojnë Tropojën nga “turpi” qe ju hodhi Ermali, në fakt duhet të mësojnë të duan më shumë gjithë Shqipërinë; një atdhe tragjik që të bën të qeshësh dhe një vend komik që të bën të qash!
Komeditë kanë gjithmonë fund të lumtur, por rrallë ndodh që edhe të japin leksione të hidhura. Tek Benvenuti al Sud, në Itali, ky leksion, për shembull mungoi, por erdhi si leksion në Shqipëri për ata që mund ta kuptojnë. Sa për një shembull, Lulzim Basha nuk mer pjesë në film, por duhet të jetë spektatori më i vëmendshëm i tij. Mbasi të shohë filmin ai mund të kuptojë se Shqipëria që ai vizaton si një agjensi funerale, ku njerëzit vetëm vdesin e vriten, ku qeveria vjedh çdo qindarkë të buxhetit, ku njëra gjysëm i shet drogë gjysmës tjetër të vendit, nuk ekziston. Nuk ekziston njëlloj si Tropoja e maktheve të Ermalit në fillim të filmit. Shqipëria është e tillë vetëm për të dhe për naivët që shohin vetëm bardh e zi dhe mezi presin të vijnë në pushtet, me propozimin për një rotacion që fton të ndryshojë ngjyra, por jo mendësia sovjetike e të qeverisurit mbi një vend të mjerë. Pa asnjë dyshim, Shqipëria është një vend shumë herë më i mirë sesa ka qenë në të shkuarën, por shumëfish më keq sesa do të duhej të ishte dhe meriton të jetë! Falë qeverisjeve të këqija që ka pasur. Dhe pasojë e një mijë e një aksidenteve historikë që ka pësuar. Por pavarësisht të gjitha këtyre, e vetmja rrugë për të mbërritur në qeverisje, nuk është urrejtja, por dashuria. Jo mohimi, por pohimi. Jo lufta sociale, por paqja njerëzore.
Po e kuptoi këtë kryetari i opozitës, atëherë Rama ka luajtur për hir të Bashës rolin e jetës, ndërsa Ermal Mamaqi i ka dhënë leksionin e duhur. Duke qenë në krah të tropojanes së bukur, të cilën mund t’ja shijojnë buzëqeshjen plot trishtim edhe të verbërit. I gjithë filmi “E dua Shqipërinë”, u luajt nën vëmendjen e lodhur të Robert Ndrenikës, buzëqeshjes së Roza Anagnostit, sharmit të Vera Grabockës, shkëlqimin metalik të gocave që e shohin Instagramin si dritare Amstërdami, medias, biznesit dhe gjithçkaje që e bën kaq interesante vetë Tiranën reale, filmin më të madh të luajtur ndonjëherë në shqip. Një qytet i vonuar në kohë, por që i ka dhënë në çdo kohë kaq shumë dashuri edhe maskarenjve!
P.S. Ka gjithmonë një epilog në komedi. Epilogu i “I Love Tropoja”, ishte diku nga mesi I filmit dhe në rrugë e sipër për në Tropojë. Në tragetin që lundron në Koman, kërcejnë pothuaj gjysmë lakuriq ca vajza kalendarësh. Edhe nëse do të ishin të veshura me rroba zjarrikësish, ato do të bënin të psherëtinte njëlloj e gjithë gjindja në film. Burrat do të psherëtinin për një arsye që e tregojnë zakonisht në bisedë mes burrash dhe gratë për një arsye të ngjashme me atë të burrave dhe që gratë bëjnë sikur nuk e dinë që ekziston.