Banka e Shqipërisë bën të ditur se, konsumi i familjarëve për mallrat e konsumit dhe shërbime, shënoi rritje gjatë fundvitit të kaluar, trend që po vijon edhe në muajit e parë të 2020. Në raportin e publikuar së fundmi nga BSH-ja, konsumi privat u rrit me 3.9% në tremujorin e tretë, rreth 1.2% më shumë se rritja gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2019. Ky komponent dha kontributin kryesor në zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe rritjen ekonomike. Në rritjen e konsumit privat ndikoi rritja e shpenzimeve në sektorët e shërbimeve.
Nga pikëpamja e faktorëve që mbështesin rritjen e konsumit privat, ecuria
e të ardhurave nga punësimi dhe rritja e numrit të të punësuarve ka nxitur
kryerjen e shpenzimeve konsumatore. Kjo është reflektuar në përmirësimin
e treguesit të ndjesisë ekonomike. Gjithashtu, treguesi i besimit konsumator dhe ai në sektorin e shërbimeve mbetën mbi mesataret historike edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2019. Financimi i konsumit privat ka vijuar të mbështetet nga rritja e fluksit hyrës të remitancave në vend në këtë tremujor. Kushtet financiare gjithashtu vijuan të nxisin përshpejtimin e konsumit dhe kontributin e tij në zgjerimin e kërkesës agregate. Mbi bazën e informacioneve, Banka e Shqipërisë shprehet se edhe për tremujorin e katërt të 2019-s, e në këtë fillim viti, parashikohet të vijojë rritja e konsumit të familjarëve për mallra të konsumit afatshkurtër dhe për shërbime.
Ky vlerësim bazohet në të dhënat sasiore për ecurinë e importit të ushqimeve, lëvizjet e shtetasve në vend dhe të rritjes së kredisë konsumatore. Ecuria e shpenzimeve të familjarëve për mallra afatgjatë, komponent i cili është edhe më i ndjeshëm ndaj klimës së besimit, është më i vështirë të vlerësohet për tremujorin e fundit të vitit, bazuar në të dhënat e pjesshme të disponuara, citon Banka e Shqipërisë në raportin e saj.