Legjenda e Barcelonës, Carles Puyol, deklaron se Lionel Messi ka potencialin të të luajë futboll deri në moshën 38 vjeç. Ylli i Argjentinës do të mbushë 33 vjeç në qershor, ndërsa vazhdon të shkëlqejë në La Liga këtë sezon, me 14 gola dhe 12 asiste në vetëm 19 ndeshje të luajtura. Rivali i tij më i madh prej një dekade, Cristiano Ronaldo, gjithashtu, vazhdon të mahnisë me Juventusin, edhe pse 35 vjeç. Puyol mbështeti Messin për një jetëgjatësi të ngjashme në fushat e blerta.
“Messi është 32 vjeç dhe një lojtar që kujdeset shumë për veten. Duke ditur këto gjëra, unë besoj se Leo mund të luajë deri në moshën 38 vjeç, – tha Puyol për “Marca”. – Pse duhet të flasim për një Barcelonë pa Messin, kur ai është këtu tani? Ajo që duhet të bëjmë është të përpiqemi të fitojmë sa më shumë që të jetë e mundur me të”. Messi është i kontraktuar në “Camp Nou” edhe për një sezon të mëtejshëm, me spekulimet e një transferimi diku tjetër në horizont, pasi goditi publikisht komentet e drejtorit të klubit, Eric Abidal.
Pasi fitoi të gjashtin “Top të Artë”, si askush tjetër në historinë e këtij çmimi, në dhjetor të vitit të kaluar, ylli i Barcelonës pranoi se është i vetëdijshëm për moshën e tij: “Jam i vetëdijshëm për vitet që kam mbi supe. I shijoj kaq shumë këto momente, sepse e di që “pensioni” po afron, koha fluturon. Shpresoj që, me dëshirën e Zotit, të vazhdoj të luaj edhe për shumë vite të tjera. Tani jam 32 vjeç dhe do të jem 33 në fund të sezonit, kështu që, siç thashë, gjithçka varet nga mënyra se si ndihem fizikisht. Tani për tani ndihem më mirë se kurrë në nivelin fizik dhe personal, ndaj shpresoj se mund të vazhdoj edhe më gjatë”.