Në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave ka vendosur përcaktimin e kritereve dhe të masës së shpërblimit financiar mujor të familjeve të Dëshmorëve të Atdheut. Me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi sot shpërblimi financiar mujor për familjen e dëshmorit të atdheut caktohet në masën 7 000 (shtatë mijë) lekë.

“Kur përfitues të shpërblimit financiar, sipas certifikatës së rrethit familjar të dëshmorit të atdheut në momentin e vdekjes së tij, janë më shumë se një person, atëherë personi që do të tërheqë këtë shpërblim duhet të pajiset me prokurë të lëshuar nga përfituesit e tjerë. Në njoftimin e dhënies së statusit “Dëshmor i atdheut” nga Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i atdheut” (KQSDA), përfituesit duhet të informohen, gjithashtu, edhe në lidhje me procedurën dhe dokumentacionin që kërkohet për të përfituar shpërblimin financiar”, thuhet në vendim

Po sipas vendimit të qeverisë, në rast se përfituesit, sipas certifikatës së rrethit familjar të dëshmorit të atdheut në momentin e vdekjes së tij, brenda 10 ditëve, nga njoftimi i dhënies së statusit “Dëshmor i atdheut” nga KQSDA, nuk bien dakord për pajisjen me prokurë të njërit prej tyre, atëherë masa e shpërblimit financiar mujor do të pjesëtohet sipas numrit të përgjithshëm të përfituesve.

“KQSDA-ja i dërgon Institutit të Sigurimeve Shoqërore emrin e familjarit, që, sipas certifikatës së gjendjes familjare të dëshmorit të atdheut në momentin e vdekjes së tij, përfiton shpërblimin financiar, bashkë me një kopje origjinale të vendimit për dhënien e statusit “Dëshmor i atdheut”. Kur familjari i autorizuar, sipas listës dhe vendimit të KQSDA-së për tërheqjen e shpërblimit, vdes, kjo e drejtë i transferohet njërit prej pjesëtarëve të rrethit familjar, sipas procedurës së përcaktuar në vendim.

Shpërblimi i familjes së dëshmorit të atdheut jepet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, sipas vendimit të KQSDA-së ndërsa rrajtimi financiar për rrethin familjar të dëshmorit të atdheut fillon në datën e shpalljes së vendimit të KQSDA-së.

“Trajtimi financiar për rrethin familjar të dëshmorit të atdheut, i cili e ka fituar të drejtën për t’u njohur si “Dëshmor i atdheut” me vendim gjykate të formës së prerë, fillon nga data e vendimit të komisionit për mosdhënien e statusit “Dëshmor i atdheut”, thuhet në vendimin e miratuar sot nga qeveria.