Mëngjesin e sotëm është zhvilluar një mëngjes pune i organizuar nga Luigi Di Maio me ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Komisionerin e Zgjerimit Oliver Varhelyi me praninë e kryeministrit shqiptar Edi Rama lidhur me përparimin e reformave dhe solidaritetin për Konferencën e Donatorëve për tërmetin që do të zhvillohet sot.
“Diskutim në mëngjes me Kryeministrin e Shqipërisë dhe Ministrat e Jashtëm të BE-së, të organizuar nga Luigi di Maio. Diskutim i mirë mbi përparimin e reformat dhe solidaritetin e fortë me Shqipërinë pas tërmetit të nëntorit përpara konferencës së sotme të donatorëve ndërkombëtarë” shkruan komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Krerët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderët e Bashkimit Europian mbrëmjen e djeshme zhvilluan një takim joformal në Bruksel, në fokus të së cilit ka qenë perspektiva e zgjerimit të Unionit.
Në fjalën e tij, në përfundim të takimit, kryeministri Edi Rama tha se ka marrë një sinjal se rrugëtimi deri në çeljen e negociatave nuk do të jetë i lehtë, e ndërsa theksoi se uron që metodologjia e re të jetë një platformë mirëkuptimi nga shtete anëtare. Nga ana tjetër, presidentja e KE-së tha se ndryshimet e bëra i hapet rruga për çeljen e negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE-në, mundësisht para samitit të Zagrebit, pra para muajit maj.