Prononcimi për mediat i Kryeministrit Edi Rama në Bruksel, pas tryezës së organizuar nga Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, mbi sfidat e përbashkëta, metodologjinë e re të zgjerimit dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal:
-Zoti Kryeministër, cila do të jetë e ardhmja e negociatave pas darkës të sotme dhe e ardhmja e Shengenit Ballkanik gjithashtu? Është diskutuar për këtë? Kryeministri Edi Rama: Së pari, unë jam plotësisht i fokusuar tek ajo që duhet të jetë kurorëzimi i një përpjekjeje të gjatë dhe intensive: Konferenca e Donatorëve nesër dhe patjetër që kemi diskutuar edhe për temat që ju më pyesni, por ajo që unë kam thënë dhe them është, që, pavarësisht se çfarë do vendosin miqtë tanë europianë, është mirë që, së paku, të fillojnë të thonë plotësisht të vërtetën dhe të mos mbetet gjithmonë si zakonisht topi në derën tonë kur faktikisht krosimi i gjatë dhe nxjerrja e topit nga fusha vjen si rezultat i diskutimit të brendshëm. Sidoqoftë, ajo që ka rëndësi është që, ka një dakordësi për metodologjinë e re, ka një përpjekje për një proces të rilindur të zgjerimit përmes një ecurie të vendeve kandidate, jo vetëm mbi bazën e derisotme, por edhe mbi bazën e mbështetjes për sa i përket aspekteve financiare, kështu që, do të shikojmë më tutje. Kemi rënë dakord që do të vazhdojmë një diskutim të brendshëm me Presidenten e Komisionit, stafin e saj dhe të tjerët, flas nga pikëpamja e gjitha vendeve tona, për të dalë në disa konkluzione solide deri në Samitin e Zagrebit.
-Zoti Kryeministër, Maqedonia e Veriut sot prezantoi një lajm të mirë për reformat e integrimit në vend. Ju, a keni prezantuar ndonjë lajm të mirë për reformat në Shqipëri? Kryeministri Edi Rama: Unë nuk prezantoj lajme. Unë prezantoj punët, pastaj lajmet i bëni ju dhe sipas këndvështrimit tuaj, ato mund të jenë të mira, mund të jenë dhe të këqija. -Cilat janë rezultatet e reformave deri tani? Prisni ndonjë vlerësim pozitiv të Komisionit Europian? Kryeministri Edi Rama: Vlerësimi i Komisionit Europian ka qenë pozitiv, do të jetë pozitiv se s’ka si të jetë ndryshe, përderisa Shqipëria i ka bërë dhe po i bën detyrat, madje unë pres që dhe nisma jonë më e fundit të gjejë vendin e vet të merituar në vlerësimin e Komisionit Europian për Shqipërinë. Por, e përsëris, që, bëjmë çfarë bëjmë ne, ne e bëjmë për veten tonë. Nuk e bëjmë se na e kërkojnë miqtë tanë europianë dhe pastaj vendimmarrja e tyre nuk është e lidhur thjesht me atë që bëjmë ne, por, është e gjitha dhe thuajse plotësisht së fundmi e lidhur me atë që ata duhet të zgjidhin mes tyre për sa i përket të ardhmes së BE, të ardhmes së procesit të zgjerimit, etj., gjëra që dihen dhe që sado interesante të jetë për të krijuar audiencë, apo kuriozitete të natyrës mediatike që këto gjëra të ngatërrohen, ato mbeten ashtu sic janë, të qarta si kristali.
-Zoti Kryeministër, po e ardhmja e Shengenit Ballkanik? Kryeministri Edi Rama: Kemi diskutuar për bashkëpunimin rajonal. Kemi diskutuar për domosdoshmërinë e një shtyse të mëtejshme të asaj që është konceptuar dhe është formësuar pjesërisht nga Procesi i Berlinit dhe unë jam i bindur që, më herët se vonë, BE, KE do ta mbështesin patjetër këtë vizion se s’ka si të ndodhë ndryshe derisa është një vizion që merr spunto nga 4 liritë e vetë Bashkimit Europian, por, sigurisht, që do të na duhet që të kemi pak durim, sepse ngatërrestarët nuk janë vetëm në Ballkan, janë edhe në Europë, kudo, kështu që, ndërkohë që BE, KiE, KE kanë shumë probleme të tjera dhe kanë shumë e shumë halle të tjera, kështu që derisa të kenë plotësisht fokus mbi këtë që ne duam të bëjmë, jam i bindur që gjithçka do të kthjellohet dhe pastaj jo vetëm që BE do ta mbështesë fuqimisht, por kam bindjen që vendet do vlerësohen edhe në bazë të qasjes dhe kapaciteteve për të jetësuar hapësirën europiane brenda perimetrit të Shengenit rajonal.