Sot është afati i fundit i aplikimeve online në platformën “Shtëpia ime” për të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme në banesa nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryetarja e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara ftoi sot qytetarët që ende nuk kanë aplikuar që të paraqiten sot pranë sporteleve të dedikuara në Njësitë Administrative të bashkisë Kurbin dhe të bëhen pjesë e këtij programi.

“Gjatë gjithë kësaj periudhe, stafi i bashkisë ka qenë i angazhuar duke informuar banorët për rëndësinë e madhe që ka ky proces nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë derë më derë, njoftimeve në terren, telefonatave etj”, tha ajo.

Si e vetmja mundësi për të përfituar nga programi i Rindërtimit, Cara ftoi çdo qytetar që ka pasur dëmtime në banesë nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019 dhe që për arsye të ndryshme nuk ka mundur të aplikojë, të paraqitet sot pranë sporteleve të dedikuara në Njësitë Administrative të bashkisë Kurbin dhe të bëhet pjesë e këtij programi. Ajo theksoi se “aplikimi është i thjeshtë, merr vetëm pak minuta dhe për çdo paqartësi qytetarët do marrin shpjegimet e duhura”.