Ministri gjerman për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, Michael Roth është shprehur me besim, se BE në mars do të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas agjencisë së lajmeve DPA, Roth shpreson, që në takimin e ardhshëm me homologët e tij më 24 mars ” të jepet një sinjal i qartë në drejtim të Ballkanit Perëndimor”.
Michael Roth ka kujtuar ndryshimet që janë bërë në metodologjinë e zgjerimit të BE-së dhe pret që Komisioni Europian të njohë edhe progresin në reforma që kanë bërë të dyja vendet. “Komisioni Europian ka për të njohur “progresin e rëndësishëm” në drejtim të luftimit të korrupsionit dhe reformës së drejtësisë”-, u shpreh Roth.