Qeveria shqiptare ka rritur me 3 herë financimin për sëmundjet tumorale, 19 mijë gra në vit përfitojnë falas shërbimin e mamografisë afër vendbanimit, ndërsa 17 mijë gra në vit përfitojnë falas testin HPV për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
“Koha e rrënimit në shëndetësi, kur edhe serumet e vigonat ishin “luks”, e lëre pastaj trajtimi i të sëmurëve me kancer me aparature dhe terapi bashkëkohore, ka ikur një herë e mirë. Siguruam herceptinën dhe terapitë e targetuara falas. Rritëm me 3 herë financimin për sëmundjet tumorale. Garantuam shërbimin e mamografisë dhe testin për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës falas për gratë, në çdo cep të vendit”, thekson Kryeministri Rama duke publikuar një video informuese të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas MSHMS-së, 24 milionë euro është financimi për trajtimin e pacientëve me kancer, 16.8 milionë euro për barnat e rimbursueshme falas për të sëmurët me tumore, më shumë se 45 financime citostatike në spitale, 100% mbulim falas me herceptinë për gratë me kancer gjiri, 100% trajtim falas për pacientët me sëmundje malinje të gjakut.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur gjithashtu se 7 spitale rajonale kanë njësi kemioterapie për trajtimin e pacientëve afër vendbanimit, 23 mijë seanca radioterapie kryhen me standarde europiane dhe 6 mamografi të reja janë instaluar në spitalet rajonale.