Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas denoncimeve në media se disa farmaci kanë rritur çmimet për maskat mbrojtëse dhe produktet me përmbajtje dezinfektuese duke përfituar nga interesimi i lartë nisur nga shqetësimi në rritje i qytetarëve për virusin kinez. Farmacitë që po abuzojnë duke rritur çmimet do të përballen me akuzën e manipulimit të tregut.

“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe nga administrimi i të dhënave operative në lidhje me veprimet e disa farmacive në drejtim të rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “Manipulimi i tregut” parashikuar nga neni 143/a/1 i Kodit Penal.

Aktualisht jemi në fazën e mbledhjes së informacioneve të nevojshme për evidentimin dhe dokumentimin e të gjitha rasteve, në të cilat dyshohet se disa subjekte në mënyrë abuzive dhe të paligjshme kanë rritur çmimet mbi produkte te ndryshme (maska mbrojtëse, produkte me përmbajtje dezinfektuese, etj), duke përfituar nga situata e krijuar për shkak të interesimit, në rang të marrjes së masave kundër Coronavirusit, në dëm të interesave të ligjshme, dhe në shkelje të normave ligjore.

Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo paraqitje jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli, shërbimi apo paraje, me qëllim çrregullimin e funskionimit të lirë dhe drejtë të tregut, është penalisht e dënueshme. Vijojmë të ndjekim me interes të shtuar, çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve.

Nga ana tjetër, mirëpresim çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë” deklaron prokuroria. Mes atyre që denoncuan rritjen e çmimeve ishte edhe zv/ kryeministri Erion Braçe. Ndërkohë që shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik Eugena Tomini shpjegoi rastet kur duhet përdorur maska. Në Shqipëri nuk ka asnjë rast me virusin kinez.