Rumania rithekson mbështetjen e saj për vendimin për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut sa më shpejt të jetë e mundur përpara Samitit të Zagrebit për Ballkanin Perëndimor. Ambasada e Rumanisë në Shqipëri ka publikuar qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rumanisë në lidhje me metodologjinë e re të publikuar nga Komisioni Europian për zgjerimin. “KE publikoi komunikatën “Përmirësimi i procesit të pranimit – Një perspektivë e besueshme e BE për Ballkanin Perëndimor”, duke përfshirë propozimet e tij për rishikimin e metodologjisë së politikës të zgjerimit. Dokumenti trajton linjat kryesore të veprimit të propozuara nga Komisioni Europian në këtë proces.
Ministria e Punëve të Jashtme shënoi propozimet e Komisionit Europian, mirëpret riafirmimin, përmes këtij dokumenti, të vlerës gjeostrategjike të proçesit të zgjerimit dhe ndan vlerësimin e Komisionit Europian”, thuhet në njoftim.
“Nga këndvështrimi i Rumanisë, përparimi dhe konsolidimi i politikës së zgjerimit mbetet thelbësor për besueshmërinë e BE-së, për suksesin e projektit Europian, por edhe për afirmimin e rolit global të BE-së, e cila fillon në kufirin e saj të afërt.Në këtë kontekst, Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë ndan vlerësimin e Komisionit Europian se përparimi i politikës së zgjerimit dhe perspektiva e anëtarësimit në BE të shteteve kandidate është një instrument që i përgjigjet interesave politike, ekonomike dhe të sigurisë së Bashkimit, duke qenë, gjithashtu, një motor transformimi dhe reformimi që kontribuon në forcimin e stabilitetit, prosperitetit dhe sigurisë dhe i jep impuls procesit të pajtimit në rajon”, vijon njoftimi.
“Propozimet e Komisionit Europian do të analizohen më tej, në kontekstin e diskutimeve në nivelin e Këshillit të BE-së, në mënyrë që rezultati i reflektimit të materializohet përmes masave për të thjeshtuar procesin e pranimit dhe të lejojë që fazat e negociatave të shpejtohen, në përputhje të plotë me angazhimet e Bashkimit Europian në lidhje me shtetet e implikuara në procesin e pranimit, bazuar në meritat e tyre dhe realizimin e reformave të nevojshme”, theksohet në njoftim.
“Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë rithekson faktin se zhvillimi i procesit të reflektimit në lidhje me rishikimin e metodologjisë të zgjerimit duhet të menaxhohet paralelisht me përparimin e proceseve të pranimit tashmë të filluara, pa u bllokuar ose vonuar proceset e pranimit tashmë të filluara. Në këtë kontekst, Ministria e Punëve të Jashtme rithekson mbështetjen e saj për vendimin për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut sa më shpejt të jetë e mundur përpara Samitit të Zagrebit për Ballkanin Perëndimor (7 maj 2020), në përputhje me pozicionin e saj të vazhdueshëm të mbështetjes për këtë objektiv në nivelin e Këshillit të BE-së, përfshirë edhe gjatë mandatit të Rumanisë të Presidencës të Këshillit të BE-së, në semestrin e parë të 2019-ës”, përfundon njoftimi.