Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të opozitës, sidomos Partisë Demokratike, e gazetarëve pranës saj mbi Konferencën e Donatorëve. Në të njëjtën kohë ai i është përgjigjur përmes një mesazhi të koduar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili ka thirrur në një manifestim shqiptarët, më 2 mars, siç thotë ai, kundër qeverisë së krimit dhe grushtit të shtetit.

Përmes një statusi në llogarinë e tij në tëitter Rama shkruan se: Sa më shumë Shqipëria forcon trupin e saj të brishtë,aq më shumë ata që e penguan,shfrytëzuan,dërrmuan për vite të tëra,dëshpërohen e lëshojnë gjuhën jashtë kontrollit! Tamam kur Shqipërisë i’u bë një deklaratë publike dashurie nga BE dhe bota mbarë në 17 shkurt,ata u marrosën.

Kreu i ekzekutivit vijon më tej kur thotë se nuk duhet humbur kohë me akuzuesit sepse janë të dënuar të përpëliten në zjarrin e urrejtjes së tyre e të çirren gjithnjë e më fort kundër nesh! Në fund Rama shkruan se mazhoranca e mandatuar nga populli kërkon që Shqipëria të shkojë përpara duke u forcuar çdo ditë, përmes reformave e punëve që s’u bënë kurrë në kohën e tyre të shkuar.

Statusi i plotë:

“Sa më shumë Shqipëria forcon trupin e saj të brishtë,aq më shumë ata që e penguan,shfrytëzuan,dërrmuan për vite të tëra,dëshpërohen e lëshojnë gjuhën jashtë kontrollit! Tamam kur Shqipërisë i’u bë një deklaratë publike dashurie nga BE dhe bota mbarë në 17 shkurt,ata u marrosën…

Mos humbim kohë me ta,janë të dënuar të përpëliten në zjarrin e urrejtjes së tyre e të çirren gjithnjë e më fort kundër nesh!Shqipëria i ka lënë pas dhe kërkon nga ne ta çojmë përpara; duke e forcuar çdo ditë, përmes reformave e punëve që s’u bënë kurrë në kohën e tyre të shkuar.” (Lexo.al)