Shpërndarja e fondeve për Rindërtimin do të jetë plotësisht transparente dhe e monitorueshme nga donatorët dhe në respekt të plotë të taksapaguesve të Bashkimit Europian dhe jo vetëm që po solidarizohen me vendin tonë, pas tërmetit të 26 nëntorit. Kjo është garancia që ka dhënë Arben Ahmetaj, ministër i Shtetit për Rindërtim, pjesëmarrësve në Konferencën e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, në ndihmë të Rindërtimit pas tërmetit.
Ahmetaj gjatë fjalës së tij bëri të ditur se kryefjalë e punës do të jetë transparenca dhe respekti ndaj taksapaguesve të vendeve donatore. “Kemi nxjerrë një ligj të ri që merret enkas me Programin e Rindërtimit, për programet dhe nënprogramet. Po ashtu, kemi dhe programin për ndërtimin e banesave të reja apo rikuperimin e banesave të dëmtuara, pas atyre ekzistuese, sipas procedurave dhe metodologjisë që është prezantuar”, – tha Ahmetaj në çelje të fjalës së tij.
“Nuk bëhet fjalë për një program kompensimi. Për të respektuar solidaritetin dhe tatimpaguesit në vendet tuaja, ky është program strehimi, jo kompensimi. Ne jemi kufizuar për familjet nga 1-2 anëtarë për banesa të reja me hapësirë deri në 60-70 metra katrorë. Një shembull për ta ilustruar: Nëse një familje ka humbur për shkak të tërmetit një shtëpi 200 metra katrorë, qeveria nuk do ta kompensojë 100%, por do t’i japë strehë 60-70 metra katrorë. Pastaj nëse një familje kishte në pronësi dy shtëpi në zonën e dëmtuar dhe i janë dëmtuar të dy shtëpitë, do të marrë një banesë në bazë të numrit të anëtarëve. Dhe në rast se familja kishte dy shtëpi dhe njëra i është dëmtuar dhe tjetra nuk është prekur nga tërmeti, kjo familje nuk përfiton nga Programi i Rindërtimit dhe kjo në respekt të tatimpaguesve të vendeve të tuaja dhe që po na ndihmojnë ne”, – tha Ahmetaj.
“Çdo grant që do të jepet në bazë të vlerësimit të programeve të ndryshme nuk do shkojnë përtej 50% të vlerësimit të dëmit, pra duke bërë një bashkëfinancim me familjet e prekura pë rindërtimin e shtëpive që janë dëmtuar më pak në bazë të niveleve të dëmtimit, Ds 1, Ds 2 dhe Ds 3. Po ashtu janë 13 kopshte, 2 spitale, 13 qendra shëndetësore, 42 ndërtesa bashkiake, 1 burg, 22 ndërtesa zyrash. Kemi miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe 25 zona për t’u rindërtuar. Janë bashkitë e reja, partnerët lokalë që vendosën në konsultim me familjet dhe vendndodhjet se ku do të bëhet Rindërtimi”, – shtoi Ahmetaj.
“Një shembull tjetër është dhe ndërtimi vetë nga donatorët. Kemi një zonë të veçantë të cilën e ka marrë përsipër enti turk i banesave me rreth 500 njësi banimi, që bënë zhvillim të plotë të zonës, granti pra është dhënë në natyrë, që mund të ndiqet dhe nga vende të tjera nëse do vendosni kështu”, – theksoi Ahmetaj.
Ai garantoi donatorët se qeveria është e fokusuar për të ruajtur konsolidimin fiskal dhe borxhi do të vijojë të ulet. “Ne po e ruajmë konsolidimin fiskal. Borxhi këtë vit do të vazhdojë të bjerë, jo me të njëjtën shpejtësi që ka ndodhur tre vitet e fundit me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por do të zvogëlohet. Pra jemi duke e trajtuar situatën në mënyrë shumë të pjekur, duke respektuar çdo qindarkë që do shpenzohet për Programin e Rindërtimit”, – theksoi Ahmetaj.
Duke i prezantuar me detaje programin të hartuar nga vendi ynë, Ahmetaj bëri të ditur se “Janë caktuar tashmë 100 milionë euro dhe llogaridhënia është shumë e rëndësishme. Është objekt auditimi, auditim i brendshëm nga KLSH dhe donatorët, të cilët kanë të drejtë të auditojnë në programet ku marrin pjesë, por dhe në ato që nuk marrin pjesë”.
“Për hir të transparencës, që do të jetë pjesë e parimeve të punës sonë ne kemi dhe portalin unik të qeverisë që do përditësohet sot dhe çdo donator dhe qytetarë ka të drejtë shohë se çfarë po ndodh me donacionin dhe çdo qytetar me ndërtesën e tij”, – theksoi Ahmetaj.
“Është fondi i rindërtimit që do kalojë përmes llogarisë unike të thesarit. Pastaj është Komisioni Shtetëror i Rindërtimit që i kërkon qeverisë VKM për shpërndarjen e fondeve përmes llogarisë unike të thesarit dhe Ministrisë së Financave dhe përmes institucioneve të qeverisjes vendore si njësi zbatimi dhe pastaj bëhet monitorimi, auditimi dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe donatorët. Ky do jetë i gjithë procesi i vendimmarrjes për t’ju siguruar që të gjitha synimet do të vendosen e do të jenë pjesë”, – përfundoi ministri Ahmetaj.