Pas shtimit të terreneve sportive, organizimit me sukses të Maratonës së Tiranës dhe Triathlonës, Bashkia e Tiranës do të krijojë së shpejti Agjencinë e Sportit, e cila do të jetë e dedikuar për zhvillimin në mënyrë të vazhdueshme të aktiviteteve sportive. Nga mjediset sportive të shkollës “Dora D’Istria”, ku u zhvillua kampionati i basketbollit mes shkollave 9-vjeçare të Njësisë 10, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dha lajmin e mirë se përveç Agjencisë për të Rinjtë, së shpejti do të krijohet edhe një agjenci për sportet.

“Siç kemi agjencinë e rinisë, së shpejti në Bashkinë e Tiranës do të themelojmë edhe një agjenci të sporteve, për aktivitete që deri tani i kemi bërë në mënyrë sporadike. Tani duam t’i bëjmë në mënyrë më të organizuar, duke pasur një agjenci ekskluzive vetëm për sportin, sidomos për sportin në komunitet. Nëse merremi më shumë me sport jo vetëm do të jemi më të shëndetshëm, por do të kemi edhe pak më shumë paqe me njëri-tjetrin”, tha Veliaj. Kryebashkiaku theksoi para të vegjëlve rëndësinë e punës në skuadër, duke përcjellë një mesazh edhe për ata aktorë të shoqërisë që kundërshtojnë punët e mira dhe investimet që bëhen në kryeqytet.

“Loja në skuadër na mëson se gjërat nuk i bëjmë dot të vetëm. Mund të jesh basketbollisti më i madh, por po nuk ta pasoi njeri topin, nuk luan dot vetëm ti. Një nga problemet që kemi në Shqipëri është se njerëzit që nuk kanë mësuar të lozin në skuadër thonë: “Secili për vete, Zoti për të gjithë”. Nuk ka secili për vete, nuk funksionon një qytet me secili për vete, nuk funksionon një shtëpi me secili për vete. Ne nuk dimë të humbasim si shoqëri, ne themi vetëm fitore, fitore, fitore, por s’ka vetëm fitore, jeta ka edhe fitore, edhe humbje, jeta ka edhe ngritje në këmbë, edhe rrëzime”, u shpreh ai.

Duke risjellë në vëmendje situatën e krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit, Veliaj tha se për të ecur përpara duhet të tregohemi sa më solidarë me njëri-tjetrin, dhe të edukojmë shoqërinë me vlerat më të rëndësishme. “Tërmeti na mësoi se nuk ka rëndësi sa u trembëm, ai i frikëson të gjithë, por se disa gjëra në këtë botë dëmtohen, një makinë aksidentohet, një pallat prishet, një shtëpi shembet, pra gjërat materiale mund të dëmtohet, por vetëm ajo që kemi në kokë, dijet tona, vlerat tona, nuk ka njeri që na i merr”, përfundoi Veliaj. Me rikonstruksionin e shkollave, Bashkia e Tiranës u ka kushtuar një vëmendje të veçantë shtimit të terreneve sportive dhe palestrave, të cilat përveç gjatë orëve të mësimit, mund të përdoren edhe pasdite nga komuniteti i zonës.