Të rritesh dhe ta shohësh botën kokëfortësisht me syrin e një fëmije si Brikena Bërdo, në këndvështrime të përmbysura përjetimesh, dhe ta shpallësh gjithçka që ndjen thellësive të shpirtit në një vepër arti, kërkon shumë guxim.

Me talentin që spikati që në bankat e Liceut Artistik në Tiranë, piktorja Brikena Bërdo, që kritika e ka përcaktuar si një ndër përfaqësueset e artit postavangdardës në Shqipëri, e lë tablonë e bardhë të pres; nëse fenomeni nuk rroket vetvetiu.

E vetvetishmja është pikërisht caku i rrezikshëm i sfidave të saj me ngjyrat, teknikat e përsosura dhe interpretimin nëntekstual që buron prej tablosë. Brikena Bërdo ka zgjedhur të pikturojë në mënyrën e saj, pa dashur të jap shpjegime për imazhet. Arti i saj ngjizet në një vetmi sublime.

Kur sheh pikturat kupton qartë se Bërdo nuk synon asgjë përveç që të transmetojë ndjesitë, e madje duke guxuar më përtej me ndjesitë personale, e duke e marrë frymëzimin siç thotë dhe ajo vetë në dhomat sekrete të memories, Peneli i saj lëviz në rrugëzat që vetëm ajo i di, larg adhurimit të një tjetër vepre që ka shijuar diku-dikur.

Fjalëpakë, autorja e pikturave sugjestionuese për publikun dhe kritikët e artit rrëfen copëza të bukura nga jeta dhe krijimtaria, flet për edukimi me artin realist dhe daljen delikate nga kurthi i modeleve që iu servirën në bankat e liceut dhe në universitetin e  arteve.

Si këto piktura, kështu është Brikena Bërdo. Në harmoni të artit të saj, edhe kjo  intervistë për në Report TV është ndryshe nga të tjerat. Biseda me artisten, vjen si një  përkundje nëpër përjetime të mirënjohjes që ajo ka ndaj një fuqie të mistershme që buron përtej saj, që bën gjithçka të ndodhë, të ekzistojë, me qiellin, me jeshilen dehëse të tokës, me vibrimet e ndjenjave, duke zgjuar ëndrrat aty nëpër në tablo edhe kur ato duan të arratisen…

Intervista

Ju jeni përfaqësuese e një brezi që keni bërë studime pak vite pas ardhjes së demokracisë, kur i gjithë vendi ynë shpërtheu në lirinë e mendimit, të artit, pra ishte  një liri gjithëpërfshirëse, e mezipritur… Si ka qenë situata në Akademinë e Arteve, kur ju po studionit në atë periudhë tranzitore?

-Pikërisht Akademia e Arteve, studimi atje, më ka kapur në periudhën ‘95-‘99. Ishte periudha post-diktaturë, por përkoi për më tepër me ato trazimet e tmerrshme të ‘97-s, që zgjatën një periudhë kohe. Dhe si njeri i frymëzuar, unë isha vetëm e fokusuar tek shkolla,. Ndërsa përjetimet dhe stimujt që merrja për konceptet dhe punët që bëja, vinin nga realiteti dhe rrethanat ku jetoja, që ishin të çuditshme, abstrakte gati dhe të pabesueshme.  Ne vinin nga liceu, që ishte me ndikim të fortë rus, i prirur drejt studimit të modelit apo nga natyra, e në akademi nisën të ndryshonin gjërat. Kishim hyrë në epokën moderne, dhe pretendohej diçka tjetër, dhe akademia kishte kaluar një periudhë tranzicioni, dhe nuk ishte e lehtë përshtatja dhe përtypja e këtyre koncepteve të reja. Ishte një gjë e vështirë që solli goxha  përpëlitje. Kishte përpëlitje…, unë jam përpëlitur mirë, një vit pothuajse kam pasur një bllokim të tmerrshëm, derisa dola, e kapërceva atë moment. Kishte dhe firo, por ndërkohë solli shumë abuzime me konceptin e idetë. Madje edhe qeveria kalonte një periudhë tranzicioni, dhe nuk ishte e lehtë, sepse ishte një periudhë që nënkuptohej se po të ngjisje një gazetë në tablo, do të ishe modern, do të ishe cool, por nuk ishte ajo

Solli abuzime vërtetë, sepse më kujtohet kur piktorë realistë, edhe pse të afirmuar, patën një përpjekje artificiale për të dalë në trajtën moderne,  sepse nisën të ndiheshin të kompleksikuar që patën qenë piktorë realist, ndërsa disa të tjerë patën guximin të jenë realistë.

-Po është e vërtetë,  e kam parë këtë fenomen të ndodh rëndom dhe kam parë nga të gjitha llojet.

Tek piktorët, zakonisht ka dy drita të mësimit, njëra është mësuesi, mjeshtri që të jep ty profesionin tënd, dhe tjetra është drita e autorëve të mëdhenj botërore që të jep një frymëzim të veçantë. Si je gjendur ti përballë dy stimujve, përballë dy frymëzimeve, të ecjes në artin tënd piktorik.

-Unë besoj se për mua ka qenë drita e parë, mësuesit. Unë  kam nisur të pikturojë, dhe sebepi për këtë gjë është bërë Fatmir Meziri me gruan e  tij, Diana Meziri, dhe ata më bënë t’i futem kësaj rruge. Pastaj kam pasur një profesor të mrekullueshëm në Liceun Artistik. Kam pasur profesor Hasanin, dhe ata kanë qenë jo vetëm mentorë në fushën e artit, por edhe mentorët e mi shpirtëror. Pastaj në Akademi kam pasur profesor Gazmend Lekën dhe më pas profesor Ilir Pojanin, Ali Osekun, të cilët kanë qenë vazhduesit dhe drita ime në këtë gjë. Unë nuk kam qenë natyra e shfletimit të albumeve, natyra të shihja librat për marrë një frymëzimin. Mendoja që nuk desha të bija në një lloj ndikimi . Ndoshta shumë egoiste dhe individualiste kjo, por dritën e kërkoja brenda vetes, dhe sigurisht nën guidën e profesorit.

Më kujtuat profesor Gazmend Lekën me atë daljen e natyrshme, me një stil që ishte menjëherë vetvetja dhe ndaj ka arritur këtu ku është sot. Si keni bashkëpunuar, ju një talent i ri i pikturës dhe ai një mjeshtër në kulmin e karrierës së vet. Si kanë qenë marrëdhëniet me të?

-Profesori kishte një mënyrë shumë të drejtpërdrejtë të të përçuarit të idesë së tij, të koncepteve, nga mënyra sesi ai flet, ai është shumë i përthithshëm, por unë punë nuk i kisha parë profesor Gazit asnjë punë. Dhe profesor Gazi, kam pasur përshtypjen, që atë studion e tij, e ashtu e ka se në një farë mënyre çdo piktor e ka, e ka kishën e tij ku falet. Dhe është vendi i tij intim, dhe nuk lejon njeri t’ia cenoj atë lloj intimiteti. Unë nuk i kisha parë kurrë punët e profesorit. Ndikimi që unë desha ishte tjetër gjë,  ishte diçka të dilte nga unë, por nën udhëheqjen tij dhe besoj se kështu kam ecur, nuk kam qenë personi që i kam parë librat me atë sy, i kam parë për efekt të historisë dhe çfarë ka ndodhur në art, por nuk kam adhuruar piktorë të huaj ose….Fjala adhurim është diçka që ..vetëm Zoti adhurohet, nuk adhurohet njeriu.

Kaq vetvetja sikundër je, në një klimë jo të shëndoshë të kulturës shqiptare, kur kishin filluar shprishjet e rregullave, por kishte filluar edhe abuzimi pak a shumë me institucionet,  me drejtuesit, kishte rënë hierarkia e vlerave, duke u shfaqur si artistë, njerëz që nuk ishin vërtetë në majat e artit. Pra kanë ndodhur disa trazira, mungonte dhe kritika e artit, një mungesë që vazhdon, pak a shumë, ku vetëm pak pena kishte si Suzana Varvarica apo ndonjë tjetër që bëjnë kritikë arti, ti një piktore e re si munde të evidentoheshe, të dilje e të çaje nëpër ekspozita që të bëheshe ky emër që je Brikena Bërdo?

– Unë besoj se e vetmja përgjigje është puna. Unë punoj për veten time, punoj se  e kam të nevojshme të punojë, jo për t’u evidentuar. Ajo në qoftë se ka ndodhur, ka ndodhur vetvetiu në saj të punës. Unë kam qenë pjesëmarrëse e ekspozitës “Nëntori”. Duke qenë se institucionet, siç e thatë edhe ju, nuk kanë pasur një frymë pozitive në ndihmë të artit, dhe kjo më ka lënë një shije jo të mirë. Por nuk është s’e kam përjetuar shumë, dhe kam menduar vetëm të punojë, e pjesa tjetër të shkojë në djall. Sigurisht më intereson të ekspozojë, por ja ai Besim Tula, i ekspozitës “Nëntori” është i pari që më ka njoftuar, më ka thirrur. Çdo herë që vinte nëntori, ai ishte ai zogu që i binte xhamit dhe më kujtonte “Çohu Brikena, se erdhi Nëntori!” dhe më mbante në një farë mënyre të karikuar, ndërkohë që këtu në Shqipëri është  e vështirë të qëndrosh në art, i karikuar nga sistemi e kam fjalën. Duhet të punosh vetë, dhe kështu do ngeleshin në studio ato punë, po të mos ekspozoheshin tek Nëntori. Atëherë zjarri ka qenë shumë i madh, po ashtu edhe dëshira për t’u evidentuar. E kështu kam hapur edhe disa ekspozita të tjera, një e çela në Zvicër, më 2002 –shin. Dhe më pas isha pjesëmarrëse në ekspozita kolektive. Ekspozita individuale u bë kohë që nuk po bëj ndonjë ekspozitë personale. E kam në mendje, po ndoshta do edhe pak kohë.

Cilat janë temat e  pikturave të tua? Na fol për disa emocione që ke prekur gjatë pikturimit. Cilat janë ndjenjat që ke pasur rreth tyre, si kanë ardhur në realizim, para nisjes dhe pas përfundimit të tyre?

-Unë pikturoj jetën, jetën time. Frymëzimin e kam nga preokupime të ndryshe,, kryesisht fëmijëria ka një gjurmë shumë të fortë dhe e shoh që do të më shoqërojë gjithmonë ky koncept. Dhe ky do të jetë, në qoftë se kam një cikël punësh që dua ta zhvillojë, është koncepti i fëmijërisë, një raport i fëmijës që është brenda meje sot, fëmijës që ka qenë dikur, fëmijës që nuk është më.

Duket kaq e thjeshtë, kur thoni se pikturoj jetën time dhe duket sikur do të shfaqet ajo brishtësia natyrale që keni apo elementë të karakterit tuaj, por jo ka një interpretim, një përthyerje. Para në përthyerjen dhe interpretimin e saj ka një përthyerje të madhe që e kalon cakun e fëmijërisë. Pse fëmijëria, çfarë pëlqen tek fëmijëria, që  e interpreton në tablo?

-Mendoj se është dhoma sekrete e memories. Kërkoj diçka, jam gjithmonë në kërkim të diçkaje, herë abstrakte që  e gjej në fragmente të ndryshme. Në kujtimet e mia, për shembull, të fëmijërisë kam një imazh të hijeve të pjergullatës së rrushit, kam një atë lloj drite, kur përthyhej përmes gjetheve e binte e pasqyrohej në tokë. Dukej sikur mund ta shohësh në çdo hije pjergullate, por nuk është ajo. Atëherë bota të dukej më e madhe, sepse gjërat i sheh të gjitha nga poshtë….edhe kam qenë një fëmijë vëzhgues (qesh)… Në shkollë kemi bërë edhe fotografi, dhe ajo periudhë ka qenë  inspiruese dhe më bëri që unë të kapërcejë një etapë. Unë nuk doja të fotografoja duke parë nga syri i aparatit, nga objektivi, e mbaja aparatin në drejtime të ndryshme, o lart, o poshtë, por syrin e mendjes sikur shija përmes tek objektivi, por unë nuk matesha asnjëherë. Kjo më bëri që veç rastësisë që më jepte frymëzime të caktuara, bëri që të  kapja ato fragmente që tek-tuk ndesheshin me memorien time, ose me atë momentin Déjà vu, në qoftë se të ka ndodhur ndonjëherë, që përjeton një ndjesi, sikur e ke kaluar atë moment, duke qenë aty prezentë, dhe kam kapur një moment, fragment fëmijërie, të dy fëmijëve që luanin dhe që më dha fiks një gjë që unë e kisha kërkuar dhe nuk e gjeja, dhe që atëherë unë bëj plot foto të verbra dhe përpiqem të bëhem shumë e vogël. Për të marrë një imazh shumë të madh që të imponohet nga ai realitet, të mos jetë standard, të jetë në lëvizje. Kamë bërë kështu plot foto të tjera. Ishte ndjesia e brendshme, që ma kërkonte ineri, ose brendësia ime për ta bërë këtë gjë.

A mund të na e shpjegosh në mënyrën tënde filozofike, pse e refuzon “rritjen”, dhe mban në karakterin tënd një qëndrim si fëmijë. Dukesh ende si një vajzë e  vogël, në mënyrën e çiltër të të shprehurit, me cilësitë që shfaqjesh…?

-Faleminderit. Nuk është se e refuzoj rritjen. Ose ndoshta ti ke shumë të drejtë, se njeriu e ka të vështirë të analizojë vetveten. Është ajo çka do e jo çka nga një sy tjetër do të shihet realisht. Po ndoshta ngaqë më rend shumë kjo koha dhe më dhemb, atë fëmijën që ka pafajësinë  brenda dhe atë magjinë që e ke ndjerë dikur në lëkurë, nuk do ta humbësh.

 Meqenëse përmende fëmijërinë, kaq herë, diçka nga jeta jote fëmijë, si u krijua objektivi yt si artiste në gjirinë e një familjeje, siç është juaja?

-Familja është shumë e rëndësishme për formimin e një individi. Prindërit e mi kanë qenë të dy arsimtarë. Babai nuk jeton më, mami është pensioniste. Por kanë qenë persona shumë të veçantë. Babai në mënyrën e tij që ka qenë një person aspak materialist, inxhinier mekanik ka qenë në profesion, por kishte pasion gjuetinë dhe pasioni i tij ishte natyra. Ai ishte shumë i drejtpërdrejtë dhe shihte gjithmonë të vërtetën  dhe më thoshte gjithmonë mua babai nëse ke ndonjë hallk ose siklet drejtoju natyrës se aty e gjen përgjigjen. Dhe këshillat që më jepte,  përveçse ishte tej mase i vërtetë si person.  Unë kam dalë edhe në gjueti me babanë, dhe ka qenë edhe koha e diktaturës që pak energji gjeje për t’i shpenzuar edhe në natyrë, por kjo gjë ka ndikuar shumë në kujtesën time. Në kohë  e diktaturës më ka mbetur mendja pse vendi jetonte në baltë. Edhe shihja pemët. Me dukej sikur nuk kishte mjaftueshëm, edhe pse ajo periudhë e diktaturës nuk ishte keq me gjelbërimin. Më vonë u prenë edhe pemët. Me shpërbërjen e sistemit, filluan të zhdukim çdo gjurmë, sikur ua kishte fajin pema. Dhe bëja dhe vrap. Dhe sikur të mos ta kisha dëgjuar zilen, sepse ngriheshim shumë herët, ishte babai ai që vinte më zgjonte që të mos humbisja asnjë ditë vrapi.

Në çfarë niveli mendon se janë artet moderne në Shqipëri?

-Unë nuk mendoj e janë larg apo ndryshe nga ajo çfarë bën bota apo çfarë bënë perëndimi. Ne kemi një trashëgimi vlerash të mëdha nga piktorët shqiptarët që nuk janë më, nga ata që janë brezi që kanë jetuar në diktaturën komuniste dhe secili në zemrën time ka vendin e vet, si për shembull Zef Shoshi, Hasan Çapari, pa diskutuar Abdyrrahim Buzën, Isuf Sulovarin, piktorët tanë të mëdhenj, Sali Shijakun etj, Vilson Kilica. Janë piktorë që secili prej tyre ka lënë një gjurmë të fuqishme në artin shqiptar dhe veprat e tyre janë tej mase të bukura. Dhe piktorët e brezit tjetër, si Gazmend Leka, Alush Shima, Edi Hila, është një piktor shumë fin, e kam shumë për zemër. Por edhe piktorë të tjerë si Albana Shoshi, Enkelejd Zonja, e shumë e shumë të tjerë  që e bëjnë shumë mirë  pikturën e kavaletit sepse jo të gjithë merren edhe me këtë pjesë të artit figurativ.