Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, ka thënë se ai nuk e sheh aspak si problem interesimin e Gerard Piques për të hapur biznese, për aq kohë sa këto biznese nuk e shpërqendrojnë mbrojtësin nga detyra e tij në fushën e lojës. Qendërmbrojtësi spanjoll me përvojë të gjatë në futboll, Gerard Pique, gjatë viteve të fundit është interesuar edhe për përfshirje në biznese të ndryshme, duke investuar në disa e duke i nisur vetë disa të tjera. Kjo ka bërë që të vihet dyshim mbi përkushtimin e 32-vjeçarit në karrierën e tij si futbollist, pasi që ka qenë duke udhëtuar në shumë vende të botës, përkundër agjendës së ngarkuar me Barcelonën dhe ekipin kombëtar të Spanjës.
Por, Setien, i cili e zëvendësoi Ernesto Valverden në postin e trajnerit këtë muaj, thotë se ai nuk e sheh aspak si problem përfshirjen e Piques në biznese të ndryshme, për aq kohë sa futbollisti i vijon me rregull stërvitjet. “Unë nuk jam babai i asnjërit lojtar. Jam vetëm trajneri i tyre. Do të shqetësohem për ta vetëm nëse nuk stërviten. A do të duhej t’i tregoj unë atij se çfarë mund të bëjë ai e çfarë jo?”, ka thënë Setien në një intervistë të dhënë për gazetën spanjolle Sport. “Pique është i rritur dhe është i përgjegjshëm për ato që mund t’i bëjë dhe për ato që s’mund t’i bëjë. E shoh se ai po stërvitet mirë dhe me vullnet. Ajo që ai e bën në jetën private… nuk merrem me këto gjëra”.