Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të mërkurën se rritja e papritur e numrit të të prekurve me koronavirus në Itali, Iran dhe Korenë e Jugut janë “thellësisht shqetësuese”, por sipas tij situata është ende nën kontroll për të mos u shndërruar në pandemi.
Ndërkohë sipas zotit Tedros Adhanom Ghebreyesus infeksione të lidhura me Iranin janë konfirmuar në Bahren, Irak, Kuvajt dhe Oman, ndërsa raste të lidhura me Italinë janë gjetur në Algjeri, Austri, Kroaci, Gjermani, Spanjë dhe Zvicër. Por për herë të parë të martën, numri i rasteve të reja të raportuar zyrtarisht jashtë Kinës që përfshin 37 vende arriti në 427, duke tejkaluiar numrin e rasteve të reja të raportuara nga Pekini, gjithësej 411.
“Nuk duhet të jemi tejet të etur për të shpallur pandeminë pa një analizë të kujdesshme e kthjellët të fakteve”, tha kreu i OBSH-së. Më 30 janar, OBSH-ja shpalli situatën e emergjencës botërore lidhur me shëndetin, niveli më i lartë i alarmit.
“Përdorimi i fjalës pandemi pa kujdes nuk sjell asnjë përfitim të prekshëm, por rrezikon në rritjen e frikës dhe stigmës së panevojshme e të pajustifikuar duke paralizuar sistemet. Mund të sinjalizojë gjithashtu se ne nuk jemi në gjëndje të parandalojmë përhapjen e virusit gjë që nuk është e vërtetë”, shtoi ai.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se një mision i kësaj organizate do të niset drejt Iranit këtë fundjavë. Nëntëmbëdhjetë persona kanë vdekur dhe 139 të tjerë rezultojnë të infektuar me koronavirus në Iran, bëri të ditur zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë Kianush Jahanpur të mërkurën gjatë një njoftimi në televizionin shtetëror.