Shefja e shërbimit infektiv në QSUT, Najada Çomo ka rrëzuar pretendimet e shefit të kardiologjisë Edvin Prifti, i cili thotë se Shqipëria nuk ka kapacitete për të përballuar koronavirusin. Znj. Çomo thotë se kemi dhomat e izolimit, pavionet me oksigjen dhe njësi terapie intensive me standarde bashkëkohore.
“Në detyrën e Shefit të Shërbimit Infektiv, gjykoj që ne si shërbim infektiv kemi dhomat e izolimit, pavione me oksigjen dhe njësi terapie intensive me standarde bashkëkohore. Personel të trajnuar dhe masa të marra edhe për pacientët me sëmundje të tjera infektive”, reagon shefja e shërbimit infektiv në QSUT.
Duke theksuar se ekzaminimi për koronavirusin bëhet nga laboratori i Institutit të Shëndetit Publik me standarde bashkëkohore, znj. Como i kujton shefit të kardiologjisë Edvin Prifti se falë profesionalizmit tonë janë shpëtuar dhe pacientë të tij.
“Sëmundjeve infektive i dalin garant specialistët e sëmundjeve infektive që shefi kardiologjisë i ka provuar shumë mirë në marrëdhëniet profesionale që ka me Ne, dhe sa shumë pacientë Ne i kemi shpëtuar”, mbyll reagimin e saj shefja e shërbimit infektiv ne QSUT, Najada Çomo.