Operacioni Forca e Ligjit, pjesë e paketës Anti –KÇK, ka nisur prej ditës së djeshme shpërndarjen e formularëve për personat e dënuar për krime të rënda në 30 vitet e fundit.

Por çfarë përfshin ky formular? Ballkan Web ka siguruar formularin e Lulzim Berishës, ish kreut të Bandës së Durrësit, i cili ka shkuar në OFL për ta dorëzuar. Ai është një prej subjekteve të paketës Anti-KÇK, që heton nëse pasuria e tyre justifikohet dhe nëse është ngritur nga aktivitete kriminale. Afati për të plotësuar formularin është 48 orë nga momenti i dorëzimit. Pas plotësimit, formulari bashkë me një dosje i dërgohet SPAK-ut për vlerësim, dhe më pas do i kërkohet Gjykatës Speciale të bëjë sekuestrimet për pasuritë e tyre, dhe në një periudhë kohë jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme e Ministrisë së Brendshme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti. Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. ‘Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda. Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi’, njofton në deklaratë OFL. / Tiranapost.al.