Numri i lindjeve në Shqipëri ra përsëri për vitin e kaluar. Sipas Instat, gjatë vitit 2019 në Shqipëri u regjistruan afërsisht 28,600 lindje, 1.3% më pak krahasuar me vitin 2018.Pavarësisht se tremujori i fundit rezultoi me një rritje të ndjeshme të lindjeve, kjo sërish nuk mjaftoi për të frenuar fenomenin e rënies së lindshmërisë në vendin tonë. Megjithatë, Instat nënvizon se Shqipëria po ruan një shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ku lindjet vazhdojnë të tejkalojnë vdekjet.
Koeficienti bruto i shtesës natyrore ndryshe nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian është pozitiv. Ky koeficient për Shqipërinë është 2.5 për njëmijë banorë, dhe është më i lartë se Mali i Zi, me 1.2 për mijë banorë, Maqedonia e Veriut, me 0.8 për mijë banorë dhe Serbia, që e ka negativ me -5.4 për mijë banorë. Koeficientin më të lartë të shtesës natyrore në rajon e ka Kosova, me 10.3 për një mijë banorë.Për vitin 2019, popullsia e Shqipërisë regjistroi një shtesë natyrore me rreth 6 600 banorë, në rritje me 7% krahasuar me vitin 2018.Megjithatë, shtesa natyrore e popullsisë nuk është e shtrirë në të gjitha qarqet. Vitin e kaluar, Gjirokastra, Korça, Vlora dhe Berati pësuan një pakësim natyror të popullsisë, çka nënkupton se numri i vdekjeve e tejkaloi atë të lindjeve. Që nga fillimi i vitit 2019, qeveria rriti shpërblimin për lindjet, në tentativë për të frenuar rënien që vazhdon prej vitesh. Shpërblimi nis nga rreth 40 mijë lekë për fëmijën e parë, deri në 120 mijë lekë në fëmijën e tretë
Përtej rënies së lindshmërisë që në vitet e fundit e ka ngadalësuar rritjen natyrore të popullsisë, popullsia e Shqipërisë po gërryhet nga një valë e re emigracioni. Tkurrja e popullsisë dhe plakja graduale e saj pritet të jetë një problem madhor social dhe ekonomik në afatin e gjatë, raporton Scan.Ulja e numrit të banorëve nënkupton një treg më të vogël dhe një forcë pune më të pakët, ndërsa plakja do të sjellë rëndim të barrës së përkujdesjes sociale. Shqipëria do të ketë gjithnjë e më shumë pensionistë dhe gjithnjë e më pak forcë pune aktive që të paguajë kontribute dhe taksa. Ky skenar është ndër rreziqet më të mëdhenj për perspektivat afatgjata të ekonomisë shqiptare.