Shqipëria dhe Polonia do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e kulturës.
Kështu u theksua gjatë një takimi të zhvilluar dje në Varshavë nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti me ministrin e Kulturës dhe Trashëgimisë kulturore, zv.kryeministër i Polonisë, Piotr Gliński.
“Gjatë këtij takimi patëm mundësi të ndanim interesat tona të përbashkëta dhe të diskutonim mbi fushat ku mund të bashkëpunojmë”, – tha Margariti.
“Polonia është një nga vendet më mbështetëse të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe është e gatshme për të rinovuar marrëveshjen ekzistuese në fushën e kulturës dhe ta konkretizojmë atë në projekte konkrete, në sektorët e arkivave, kinematografisë, bibliotekonomisë, muzeologjisë etj”, – u shpreh Gliński.
Gliński shprehu dëshirën për të dërguar në Shqipëri një grup ekspertësh për të identifikuar nevojat reale dhe fushat ku mund të bashkëpunojmë, për promovimin e kulturës shqiptare në Poloni dhe anasjelltas.