Nga Artur Ajazi

Ilir Meta, kreu në detyrë i shtetit deri në 2 Mars, ka deklaruar pothuajse çdo 2 orë se “shqiponjat do të mundin sorrat”, por pa e specifikuar, se kush janë shqiponjat dhe kush sorrat. Pa e specifikuar se kush janë “trimat” dhe kush ‘frikacakët”, dhe më kryesorja pa e specifikuar, se kush arriti të hajë me lugë floriri, dhe se kush vazhdon të hajë me lugë inoksi apo alumini edhe sot e kësaj dite. Ilir Meta, ka akoma mundësi tu tregojë shqiponjave “trekrenore” që mban pas vehte, se është i gatshëm të përballet me pasojat e 2 Marsit, se është i gatshëm të përballet me zemëratën e shqiptarëve që kanë 20 e ca vjet, që e shohin gjithmonë mbi “kalë” edhe pse nuk ka 1 ditë punë në bordero. Ilir Meta, duhet tu tregojë shqiponjave “trekrenare” që mban pas vehtes, se është i gatshëm të përballet si burrë Tomorri, me pasojat e shkeljeve të Kushtetutës, me shqetësimet që po u shkakton shqiptarëve të lodhur dhe të qametosur nga tërmeti, dhe së fundi edhe nga ankthi i koronavirusit, se është i gatshëm të dalë nga bunkeri presidencial, dhe të tregojë në detaje dhe jo me përralla dimri, sa është dhe si është vënë, gjithë ajo pasuri që ai ka sot.

Dekretet e 2 Marsit, nuk pijnë ujë, sepse ato mbajnë erë të keqe. Dekretet e 2 Marsit, janë si dekretet ç’drekretuara të 30 qershorit dhe drekteti i 15 Tetorit 2019, ndaj thirrjet dhe “ftesat” e tij, nuk i bindin më shqiptarët. Duke dashur të përdorë fjalë dhe fjali të huazuara nga Doktori, Ilir Meta gabon kur mendon se me shqiponja e tij “trekrenare” mund të trembë Parlamentin, qeverinë, SPAK-un, apo dhe strukturat e reja të drejtësisë. I braktisur nga të gjithë, si brënda dhe jashtë vendit, i braktisur së fundi edhe nga të vetët, kreu i shtetit Meta, ka vendosur të bëjë Vojo Kushin ose Mic Sokolin, për të mbetur përjetësisht si “mbrojtësi” vetmohues i Kushtetutës.

Atë nuk e shpëtojnë dot më as shqiponjat “trekrenare” dhe as kadetët që po i ndërsen me komandë çdo ditë, ndaj institucioneve dhe ambasadorëve. Dalja hapur kundër faktorit ndërkombëtar, etiketimi banal nga ana e tij i ministrave, deputetëve apo dhe kryeministrit, presionet dhe kërcënimet se “në 2 Mars sovrani merr në dorë fatet e tij”, janë treguesi më i mirë ankthit dhe braktisjes së madhe. Ilir Meta nuk mund të ndalë marshimin europian të Shqipërisë, ai nuk mund të zhbëjë arritjet dhe suksesin e reformave, pasi nuk ka as kohë, dhe as mundësi. Shqiponja e tij “trekrenare” (e përkthyer ndryshe posti-partia-paraja) ka marrë tanimë dridhmën nga ajo që ai e quan “drejtësia e re”. Trokitja e tij në dyert e SPAK-ut, ishte ndoshta “këmba e mbarë” për trokitje e tjera në dyert e drejtësisë së re.

Kurioziteti për të ndjerë nga afër “aromën” e një drejtësie që nuk varet më nga politika, ishte më e fortë se deklarata që Ilir Meta bëri para mediave se “erdha të padis ministren Gjonaj”. Përballja me të vërtetën tanimë është e pashmangshme për Ilir Metën, njeriun që e nisi karrierën e tij si “student” dhjetori, dhe po e mbyll atë si “shqiponjë” Kushtetute.