Një moratorium 4-vjeçar për të shpëtuar nga Vetingu gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, pjesë e të cilit është edhe gjyqtari Gjin Gjoni, është kushti i fundit i Partisë Demokratike në këmbim të konsensusit për Reformën Zgjedhore, e konsideruar si pikë kyçe për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Po a është i papritur dhe i rastësishëm kushti i fundit i PD, i cili po çon drejt zhbërjes konsensusin për Reformën Zgjedhore? Nëse i referohemi strategjisë së ndjekur nga PD gjatë tre viteve të fundit, përgjigja është: Jo. Kushti i fundit është një taktikë politike për të mos miratuar Reformën Zgjedhore. Po si kanë ndryshuar kushtet e PD për Reformën Zgjedhore gjatë tre viteve të fundit, në varësi të situatave politike?

Në 10 dhjetor të 2017, bashkëkryetari i PD në Komisionin për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, në emër të PD, paraqiti tre kërkesa për reformën zgjedhore: Votim dhe numërim elektronik, rregullimi i financimit të partive politike dhe dekriminalizim i procesit zgjedhor. Sot, edhe pse OSBE nuk e ka mbështetur votimin dhe numërimin elektronik, mazhoranca i ka pranuar të tria këto kërkesa. Në 2018, Partia Demokratike e kushtëzoi konsensusin për Reformën Zgjedhore, me disa kushte të tjera, konkretisht me ndryshimin e Kushtetutës për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, shkarkimin i Arta Markut si kryeprokurore në atë kohë si dhe me Vetingun e politikanëve.

Çështja e Arta Markut u tejkalua në fund të vitit 2019, ndërsa Vetingu i politikanëve, sipas variantit të PD, u rrëzua nga Komisioni i Venecias. Gjatë vitit 2019, Partia Demokratike e kushtëzoi konsensusin për Reformën Zgjedhore, me disa kushte të tjera, ku përfshiheshin shtyrja e zgjedhjeve lokale të 2019, zgjedhje të parakohshme dhe lokale bashkë, largimin e kryeministrit Rama, tryezë dialogu me Ramën kryeministër, qeveri tranzitore për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në vjeshtën e 2019, PD paraqiti disa kushte të tjera për marrë pjesë në Reformën Zgjedhore. Kushtet ishin largimi i Damian Gjiknurit si bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, më pas largimi i Rudina Hajdarit si bashkëkryetare e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe në fund reforma zgjedhore të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.)

Asnjë nga këto kushte nuk u plotësua. Të gjithë u hodhën poshtë nga mazhoranca dhe ndërkombëtarët. Këta të fundit refuzuan të drejtorin Reformën Zgjedhore. Befas në 14 janar 2020, përfaqësuesit e opozitës, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili u ulën në tryezë me Damian Gjiknurin dhe Rudina Hajdarin. Kur reforma u duk se ishte në rrugën e duhur, befas Partia Demokratike, me anë të Oerd Bylykbashit, shpall një kusht të ri, atë të ‘ngrirjes’ së veprimit të ligjit të Vetingut për gjyqtarët e zgjedhjeve. (Shqiptarja.com)