“Wiwibloggs.com” publikoi pak ditë më parë një sondazh, ku votues nga e gjithë bota mund të zgjidhnin këngën e tyre të preferuar të “Eurovision 2020”, e cila e meriton të fitojë festivalin këtë vit. Votat janë mbledhur dhe sot e njëjta faqe ka publikuar rezultatet e sondazhit, ku fituese është shpallur Arilena Ara me këngën “Shaj”. Kënga e saj ka marrë 60.53% të votave, ose më saktë 4603 vota për ta fituar “Eurovision-in”.

Ajo ka lënë në vend të dytë Spanjën me 29.52% të votave dhe Republikën Çeke me 9.94% të votave. Për ta përfaqësuar siç duhet vendin tonë, Arilena po punon me dy fitues të “Grammys” për këngën e saj në “Eurovision”. “Shaj” po punohet dhe riorkestrohet në njërën prej studiove muzikore më të mëdha në botë, në Los Angeles, ku artistë si Michael Jackson kanë realizuar projektet e tyre. Nata e parë gjysmëfinale e “Eurovision” do të mbahet më 12 maj, nata e dytë më 14 maj, ndërsa finalja e madhe mbahet më 16 maj në Rotterdam.