Presidenti i Partisë Social-Demokrate kroate, Davor Bernardić, i ftuar në punimet e Kongresit të Partisë Socialiste, vlerësoi punën e jashtëzakonshme të mazhorancës socialiste dhe të Kryeministrit Edi Rama në reformimin e vendit. Gjatë takimit që zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Taulant Balla, Bernardić tha se Kroacia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe u shpreh optimist për hapjen e negociatave. “Ne ju shohim si reformatorët e vërtetë të vendit tuaj. Jemi këtu për t’iu dhënë mbështetjen tonë në integrimin e vendit tuaj drejt Bashkimit Europian”,- u shpreh Bernardić.

Më tej ai u shpreh optimist që shumë shpejt të vendoset një datë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. “Shqipëria meriton të jetë një vend anëtar i Bashkimit Europian. Ne si parti social-demokrate në Kroaci e mbështesim integrimin e Shqipërisë”, përfundoi kreu i social-demokratëve kroatë.

Gjatë takimit, numri dy i PS, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy partive dhe në mënyrë të veçantë mbështetjen që social-demokratët kroatë kanë dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ne kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me social-demokratët kroatë, përfaqësuesit e të cilëve në Parlamentin Evropian na kanë mbështetur në dobi të fillimit të bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Ne shpresojmë që në Samitin e Zagrebit Shqipëria do të marrë lajmin e mirë të bisedimeve për anëtarësim”, tha Balla.