Andrej Plenković, kryeministri i Kroacisë, mbajtës i presidencës së radhës së BE-së deklaroi nga konferenca e donatorëve se reagimi i shpejtë i familjes europiane në ndihmë të Shqipërisë pas ngjarjes së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, tregoi se solidariteti është një nga parimet themelore të Bashkimit Europian. Në fjalën e mbajtur sot në konferencën e donatorëve në Bruksel, Plenković u shpreh se solidariteti ndaj Shqipërisë po tregohet jo vetëm në rang europian por edhe në atë global. Sipas tij, e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Europian.

“Një nga parimet kryesore të Bashkimit Europian është solidariteti dhe ky solidaritet është sot në më të mirën e tij, sot këtu edhe në shkallë europiane edhe globale. Shqipëria, fqinji ynë Adriatik dhe populli i saj u goditën nga një tërmeti tmerrshëm që mori 51 veta dhe plagosi rreth 3000 persona dhe shkaktoi shumë dëme. Reagimi i fortë nga Bashkimi Europian ndaj krizës në Shqipëri, organizimi i kësaj Konference tregoi se Bashkimi Europian është efikas në zbatimin e koncepteve të tij, sidomos të zhvillimit monetar. BE-ja ka zhvilluar një bashkëpunim të madh me Shqipërinë, e ardhmja e të cilit është në Bashkimin Europian, prandaj Kroacia po organizon samitin e Zagrebit që e përmendi edhe Edi, me mbështetjen e Charles dhe Ursulës me qëllim që të përforcojmë edhe njëherë dinamikën institucionale të vendeve fqinjë të Ballkanit Perëndimor përkundrejt Bashkimit Europian”, -u shpreh ai.

Më tej, kryeministri i Kroacisë tha se “kur mësuam për tërmetin e 26 nëntorit, ne menjëherë dërguam 15 persona që kanë shkuar menjëherë në shpëtim. Dy ditë më pas, vendi im mori vendim për të dërguar ndihmë humanitare me vlerë 1 milion kuna kroate, ushqime, batanije, tenda etj. Kryqi i Kuq e plotësoi edhe më tej ndihmën në javët e ardhshme. Në kuadër të reagimit të qendres koordinuese të Bashkimit Europian dërguam një ekip me 5 ekspertë dhe 5 ekspertë të mbrojtjes civile. Javën që shkoi, qeveria ime dhuroi 1 milion euro për t’u përdorur në fushën e Shëndetësisë dhe Arsimit. Duke dhënë këtë ndihmë, shqetësimi im kryesor është që të dëgjojmë dhe të ndjekim kërkesat që na kanë bërë miqtë tanë shqiptarë. Ndihma jonë duhet të jetë e fokusuar vetëm në këtë mënyrë dhe në bazë të nevojave. Vetëm në këtë mënyrë asistenca jonë do të ketë efekte afatgjatë. Ne jemi këtu që të punojmë më mirë sëbashku dhe të ndihmojmë miqtë tanë.