Nga Alfred Peza/

Opozita shqiptare është jo vetëm më interesantja, por ndoshta edhe më unikalja që mund të të bjerë rasti të hasësh, në historinë e demokracive postkomuniste. Me shpresën për tu rikthyer sa më parë në pushtet, ajo ka ecur pa u lodhur prej 6 vitesh e gjysëm përgjatë “nëntëdhjetenëntë rrugëve” të gabuara, duke injoruar të vetmen rrugë të duhur që përcakton ky sistem që kemi zgjedhur të gjithë sëbashku, prej 30 vjetësh.

PD ka dalë sëfundi me një teori të re rreth reformës zgjedhore, që po diskutohet në tryezën e dialogut mazhorancë- opozitë. Një propozim i cili nuk është gjë tjetër, veçse hileja e radhës, ndaj edhe e ka marë paradhënie përgjigjen nga përfaqësuesit e mazhorancës: Atë që nuk e arritët dot me “revolucionin popullor” të 2019, nuk mund ta arrini dot në tavolinë në vitin 2020”.

Me pak fjalë PD kërkon që në Kodin e ri Zgjedhor të shkruhet se zgjedhjet e reja në Shqipëri, do të organizohen pa Edi Ramën, por me Kryeministër dhe ministra teknikë, tri muaj përpara ditës së votimeve. Përveç ministrit të Brendshëm, 100 ditë përpara zgjedhjeve të emërohet një Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me kopetenca të plota për të emëruar njerëz të rinj dhe për të ndryshuar strukturën drejtuese të saj, nga qendra në bazë.

Duket qartë se ky është një rreng “i ri“ politik, për të nxjerrë frikën e tyre të vjetër, nga përballja me mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama. Duke e ditur që nuk i fitojnë dot zgjedhjet përballë PS, të keqen nuk e kanë parë asnjëherë tek pafuqia dhe paaftësia e tyre totale për ta organizuar opozitën, për të mobilizuar opozitarët dhe për të frymëzuar qytetarët, drejt fitores në zgjedhje.

Argumenti i parë kundër kësaj ideje lidhet me precedentët e mëparshëm. Asnjëherë qeveritë teknike, nuk kanë patur sukses në Shqipërinë e këtyre tri dekadave të fundit. Çka tregon se ky është një eksperiment i dështuar dhe një qasje kundërproduktive që në fillim.

Argumenti i dytë, ka të bëjë me faktin se PS kur ishte në opozitë në asnjë rast e në asnjë rrethanë, nuk i ka vendosur kusht PD-së dhe mazhorancës së saj (me, apo pa LSI), që Sali Berisha të mos ishte Kryeministër i vendit. Kjo tregon se idesë aktuale, i mungon reciprociteti.

Argumenti i tretë që e rrëzon këtë ide, është shembulli i 2017. Pas marrëveshjes Rama- Basha në 17-18 maj, PD mori gjysmën e ministrave të qeverisë përfshi atë të Brendshëm dhe agjensitë më të rëndësishme kombëtare në vend dhe sërisht i humbi zgjedhjet. Sepse fitorja ose humbja nuk përcaktohet nga 15 apo 20 karriket e ministrave apo e drejtorëve “teknikë”, por nga vota e rreth 1.5- 2 milionë qytetarëve shqiptarë që kanë propabilitetin për të dalë atë ditë në zgjedhje.

Në këto kushte, kur një zgjidhje të tillë nuk e favorizon as historia, as reciprociteti, as precedentët e mëparshëm dhe as shembulli i konsumuar nga pala që e propozon, kuptohet që e gjitha çfarë kërkohet është thjeshtë një nulitet politik.

Hileja e opozitës qëndron në faktin se duke e ditur që nuk e fiton dot pushtetin me votë, ajo beson se duke larguar Edi Ramën nga qeveria, duke vendosur një Kryeministër “teknik”, ministra e drejtorë policie që ti komandojë vetë dhe përmes marifetesh elektorale që kanë 30 vjet që i aplikojnë sa herë që kanë patur mundësi e pushtet, do të fitojnë. Sepse, historia e zgjedhjeve të parakohëshme në këto 30 vjet, ka treguar se asnjëherë nuk ka fituar ai që e ka lëshuar pushtetin. Ndaj projekti që paraqitet sot si i ri, është thjeshtë një hile e vjetër, për ta fituar pushtetin në tavolinë.

PS ka fituar një mandat legjitim për të qeverisur vendin në vitin 2017 dhe këtë do ta bëjë deri në fund të mandatit 4 vjeçar që i kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë, i cili përfundon në ditën kur zhvillohen zgjedhjet e radhës, në qershorin e 2021.

As kjo rrugë, as rruga e djegies së mandateve të deputetëve, e daljes nga Parlamenti, e daljes nga sistemi politik e demokratik i vendit, e bojkotimit të zhgjedhjeve, e “revolucioneve popullore” më frymëzim e nxitje nga lart dhe as shumë marifete të tjera që janë tentuar e do të tentohen në vazhdimësi, nuk e rikthejnë dot në pushtet opozitën tonë.

Problemi i vetëm që ka kryetari i saj Lulzim Basha nuk lidhet me zgjedhjet. As me Kryeministrin Edi Rama dhe mazhorancën e tij. Por, me historinë politike të tij. Për tu bërë edhe Kryetari i PD një ditë Kryeministër i Shqipërisë, dikush duhet ti tregojë se i duhet që të zbatojë më parë në praktikë, një shprehje amerikane që thotë: “Fati herët ose vonë, secilit nga ne, i troket në derë. Por, jo të gjithë ia hapin. Sepse ai vjen i veshur, me rroba pune!”

Pas kësaj duhet ta pyesë: A e bën dot, Luli?

Kjo është çështja!