Nga Artur Ajazi
Tranzicioni mbetet periudha më e “artë” për klasën e vjetëruar politike, pasi ajo i pasuroi ata në forma dhe mënyra ekstremisht kriminale. Pikërisht gjatë periudhës së tranzicionit, pasuria e politikanëve është 50 apo dhe 100 fishuar në mënyrë të frikshme dhe të habitshme. Thonë se “pasuria të roit nga mëndja e kokës”. Ata që kanë sot miliona euro, mijëra hektarë troje, fshatra turistikë, vila dhe pallate, ata janë sot çibanë të këtij vendi. Pasuria e politikës së vjetër, duhet urgjentisht të kalojë në filtrat e SPAK dhe strukturave të tjera të drejtësisë.
Askush nga ne, nuk duhet të zhgënjehet, dhe të presë pafundësisht të shohë mbrapa hekurave, ata që prej 30 vitesh përkëdhelen nga votat e vjedhura, nga partitë fantazëm të ngritura me para të pista, apo ata që mbetën akoma ekraneve duke presionuar dhe kërcënuar me kaos dhe luftë. Paraja dhe pasuria e atyre që sot jargaviten duke kërkuar mitingashë, është marramendëse dhe kriminale, pasuria e tyre është e zhvatur dhe e grabitur, ndaj duhet tu kthehet shqiptarëve.
Një takëm si ish-kryeministra dhe ish-ministra, apo një kryetar shteti që edhe pse u kap me “bllokun në dorë” duke bërë pazare milionash kërcëllit dhëmbët dhe mundohet të trembë drejtësinë e re, e kanë vendin në dyert e drejtësisë. Eshtë e turpshme të dëgjosh korin e korbave, tek çirren dhe kërcëllejnë, sapo u preket pasuria, sapo u preket posti i pamerituar, apo më keq akoma, tek i dëgjon tek i drejtohen “popullit”, apo tek i shikon të trokasin dyerve të Prokurorisë për të paditur ministra dhe deputetë.
Ky është kulmi marrëzisë. Ata që futën në administratë logjikën dhe praktikën e 25 per qindëshit për çdo tender, ata që injektuan në fushata elektorale blerjen e votave si e vetmja mënyrë për të mbajtur pushtetin dhe postin e kryetarit të partisë, sot u bëjnë moral shqiptarëve. Ata që notojnë në miliona euro, në vaska dhe dushe floriri, ata që u bëjnë edhe maceve banja me panele diellore, sot u drejtohen shqiptarëve për “të mbrojtur Kushtetutën” dhe rrëzuar qeverinë e ligjshme.
Ata që rropën edhe qindarkat e fundit nga paratë e investimeve dhe donacionet e ndërkombëtarëve sa kishin pushtetin, sot janë bashkuar rreth “boshtit” të së keqes. Ata janë sot e keqja e këtij vendi, ata janë shkaku i vetëm i halleve dhe problemeve që kanë sot shqiptarët, ata janë sot pengesa më e madhe e integrimit të vendit. Pasuria e madhe, u ka marrë atyre gjithçka njerëzore që kanë patur dhe kanë akoma, dhe i ka transformuar në qenie të ftohta, të vetmuara, në pritje të ndëshkimit ligjor. Thonë se “pasuria të roit mëndjen” apo dhe më keq akoma, të turpëron në kilometrat e fundit.
Dhe kjo po ndodh me të gjithë personazhet negativë të tranzicionit në Shqipëri. Ata kanë dalë tashmë nga binarët, ata duan të sjellin ditën e kiametit, jo për të “shpëtuar Kushtetutën” sepse atë e kanë bërë leckë, por për të shpëtuar pasurinë e vjedhur, dhe qelinë e ftohtë që është gati ti presë.