Klubi i Kukësit ashtu si Tirana ka reaguar për shkatërrimin e stolave në stadiumin Air Albania kur mbrëmë u zhvillua ndeshja e parë e vlefshme për javën e 23 të Superligës. Verilindorët dënojnë aktet e shkaktuara nga tifozët e tyre, por shtojnë se një grup prej tyre nuk mund të përfaqësojnë tifozët e Kukësit.

Reagim!

Klubi i Kukësit dënon ashpër sjelljen e disa individëve që kanë shkaktuar dëme në stadiumin “Air Albania” duke thyer 19 stola dhe njëkohësisht duke dëmtuar imazhin por edhe financat e klubit. Këto individë, kurrsesi nuk mund të përfaqësojnë tifozerinë tonë e cila ka treguar shpesh herë se është në krah të ekipit dhe nuk e ka dëmtuar por vetëm e ka mbështetur.

Një rezultat negativ nuk është fundi i kampionatit dhe sjellje të tilla, nuk e ndihmojnë aspak skuadrën për të ecur drejt objektivit titull. Klubi i Kukësit mbështet plotësisht organet përkatëse që kanë nisur hetimet për evidentimin e personave përgjegjës të cilët do të marrin edhe ndëshkimin në bazë të ligjit dhe rregulloreve.

Kukësi është i tifozëve dhe i tillë do të mbetet. Individë të veçantë nuk mund të prishin këtë lidhje, sepse mjafton fakti që jemi të detyruar të luajmë larg shtëpisë sonë. Bashkë jemi më te fortë!