Postblloqe policie janë vënë edhe tek rrethrrotullimi i TEG-ut në Tiranë. Efektivë të policisë rrugore, të komisariateve dhe të sektorit të trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kanë kryer kontrolle ndaj automjeteve luksoze. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta në një panoramë të situatës së postbllokut TEG tha se në rast të konstatimit të mangësive me dokumentacionin e automjetit, apo gjetjes së sendeve të paligjshme, makina sekuestrohet direkt, ndërsa të dhënat i kalojnë Operacionit Forca e Ligjit, ngritur në kuadër të aktit normativ Anti-KÇK për të vënë në “filtër” pasuritë e personave të hetuar apo dënuar për krime të rënda.
Gjatë kontrollit efektivët e policisë kontrollojnë lejen e qarkullimit, pronësinë, siguracionin, por edhe ndërhyrjet që mund të ketë pasur ky mjet në numrin e shasisë, apo edhe në të dhënat e tjera që e bëjnë atë të identifikueshëm, kur ka mbërritur në territorin shqiptar dhe është apo jo i vjedhur. Në rast të konstatimit të faktit që automjeti mund të jetë i vjedhur, në bashkëpunim me Europol, do të kryhen të gjitha procedurat që automjeti t’i kthehet pronarit të ligjshëm në shtetet ku është vjedhur.
Ishte një urdhër i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, për të nisur kontrollet në mbarë vendin për të kontrolluar një database, se kush e ka në pronësi automjetin, dhe nëse ka apo jo ndërhyrje në shasi.