Në vetëm pak muaj pas tërmetit të 21 shtatorit, familja Dervishi kthehet në një shtëpi shumë më të mirë se sa ajo që humbi në tërmetin e shtatorit.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizituan sot shtëpinë e re të familjes Dervishi në Priskë të Tiranës, që mbeti pa banesë nga tërmeti i 21 shtatorit. Shtëpia u ndërtua nga grupi që ndërtoi edhe parkun olimpik në kryeqytet.

Kryeministri Edi Rama fillimisht pa nga afër çadrën ku familja u strehua gjatë ndërtimit të shtëpisë së re, teksa i dorëzoi çelësin e shtëpisë së re zonjës Dervishi. Kryeministri Edi Rama i bëri dhe dhurata fëmijëve të familjes.

“Jam shumë i kënaqur, se kam qenë për ibret”,- u shpreh i zoti i shtëpisë. “Shtëpia e vjetër ishte me qerpiç, baltë, sajesë”,- shtoi Veliaj.

Kryeministri Edi Rama pyeti fëmijët edhe për notat që merrnin në shkollë duke i inkurajuar ata të mësonin edhe më shumë.

Duke kaluar tek ndërtimi i banesave të reja për të prekurit nga tërmeti, kryebashkiaku Veliaj tha se nuk bëhen brenda ditës. “Edhe në Holandë, edhe Itali, duhet kohë për t’i bërë të gjitha”-, tha Veliaj.

“Këta kanë filluar me akuza, pse nuk i bëjnë për dy muaj. Por ne nuk po rrimë, por janë shumë, mijëra. Duhet t’i bëjmë, por ku do i bëjmë, se jo të gjitha do të bëhen aty ku janë. Disa do të afrohen me njëri-tjetrin, pastaj studimet gjeologjike, pastaj planet, projektet, pastaj procedura për përzgjedhjen e kompanive. Si qenka kjo punë kështu, thonë dy muaj dhe rrinë në Facebook. Është ndarë kjo punë, disa me punë dhe disa me llafe. Kazani i madh, vlon kazani gjithë ditën. Profeti thotë se Allahu kë do më shumë i jep një gocë”,- theksoi Rama.