Atë që Matthew Palmer e artikuloi gjatë fjalës së tij në Konferencën e Donatorëve, ngritjen e Akademisë së Transparencës shqiptaro-amerikane dhe për të cilën, opozita, e më së shumti LSI e ka cilisuar si një goditje dhe mosbesim ndaj Edi Ramës, Kryeministri rezulton ta ketë kërkuar vet. Edhe pse kjo gjë u nënvizua në fjalën e Palmer dhe Rama e përsërit më pas, një konfirmim i tretë vjen nga Administratori i USAID Mark Green.
Tre ditë përpara zhvillimit të Konferencës së Donatorëve, i ndodhur në Mynih gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë, ai ndër të tjera kur ka folur për ndihmën që USAID jep në shumë vende të botës, ka marr shembullin e Shqipërisë, e cila nuk ka kërkuar fonde por asistencë teknike.
“Nuk ka të bëjë gjithmonë me paratë. Për shembull, Shqipëria, një vend që ne po punojmë me ta. Kur u takova me kryeministrin e Shqipërisë disa javë më parë, ai ishte shumë i sinqertë. Ai tha, “Dua gjithçka që ju djema keni bërë për ne. Disa nga ato programe të vjetra, ne nuk duhen më. Ajo që na duhet është ndihma teknike për korrupsionin dhe transparencën.” Pra, në atë rast, me të vërtetë nuk ka të bëjë me paratë. Po siguron një ekspertizë teknike.” – është shprehur Green, më 14 shkurt, tre ditë përpara Konferencës së Donatorëve