Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka siguruar sot se ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda këtij viti, i cili shënon edhe 100 vjetorin e themelimit të Tiranës Kryeqytet. Në një intervistë për Tv Klan, ai është shprehur se ndërtimi i godinës së re do të bëhet me fonde publike dhe me mbështetjen e qeverisë shqiptare.

Ai ka shpjeguar edhe mënyrën se si do të përballohet kredia që do të merret për ndërtimin e Teatrit të ri, i cili do të ketë edhe disa elemente shtesë me kosto më të lartë për të modernizuar skenën, sipas kërkesave të shprehura nga artistët. “Tirana ka nevojë të marrë kredi rreth 160 mln euro, që të sjellë ujin 24 orë, që të përmbushë të gjitha kërkesat për arsim, etj., për të gjitha këto marrim kredi, edhe për të bërë banesa sociale. Do hamë pak nga tavani ynë i kredisë në shumë prej këtyre fushave të tjera dhe sigurisht, që do të duhet të zgjidhim këtë. Ajo që ne parashikojmë është se Bashkia, duke i ndarë këto dy projekte, ishin projekte siameze të lidhura, teatri me pjesën e Bashkisë që ka parkingun pas, pra duke i ndarë fitojmë edhe diçka tjetër, fitojmë kohën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i përgjigjet edhe akuzave të kryetarit të PD, por edhe një pjese të artistëve, që sipas tij jep njoftime gjysmake për këtë projekt dhe që fsheh të vërtetën. “Shqetësohen për parkingun e Bashkisë apo për koeficientin e ndërtimit sepse më tregon se ata nuk kanë merak artin, këta kanë merak biznesin. Kur një parti politike nuk i gëzohet faktit që Teatri do të bëhet, do bëhet i ri, do të bëhet me fond publik, do të bëhet tek territori i vet, por ka hallin se çfarë fiton ai tjetri, më tregon se është rikthyer në një parti që bënë ‘ricatto’, në një parti që funksionon me gjobëvënie”, u shpreh ai.

Ndërkaq, lidhur me hapësirën prapa Teatrit, e cila është në pronë të bashkisë, Veliaj tha: “Bashkia e Tiranës do t’i marrë maksimumin çdo milimetri tokë. Mund të jetë një hotel me 5 yje, mund të jenë zyra koorporatash, por kjo është një negociatë tjetër. Dhe nëse meraku ishte çfarë do të bëhet me teatrin, teatrit nuk i preket asnjë centimetër. Do bëhet edhe më modern seç ishte propozimi origjinal, tek pjesa e skenës; do bëhet edhe më shpejt duke mos u penguar, duke mos qenë i atashuar me çfarë ndodh me pjesën prapa. Janë dy prona të ndryshme. Në një pronë do të bëhet teatri, në pronën tjetër bashkia mund të vazhdojë 1-2 vjet negociatat, për t’i marrë maksimumin që me ato para pastaj të paguajë kredinë”, tha Veliaj.