Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative të shkallës së parë për anulimin e autorizimit të kësaj ministrie për magazinat doganore private Duty Free.
“Si ministre e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen time për vendimin e Gjykatës Administrative të shkallës së parë Tiranë, ndaj çështjes administrative civile, mbi vendimin administrativ për anulimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop”,- tha Denaj.
“Duke u rezervuar në interpretimet në themel të vendimmarrjes në çështjen në fjalë,- u shpreh Denaj,- theksojmë rëndësinë e sistemit gjyqësor edhe në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend”.
Sipas saj, forcimi i shtetit të së drejtës mbetet prioritet për qeverinë shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, tha Denaj, do të jetë përherë e hapur të presë propozimet e sektorit privat mbi çështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për çdo investitor shqiptar dhe të huaj.