Gola dhe spektakël në Korçë, në një sfidë Skënderbeu-Teuta që do të mbahet mend gjatë për golat dhe intesitetin e lartë gjatë gjithë 90 minutave të përballjes e sidomos ajo penallti e pritur nga Koliçi në kohën shtesë, që u siguroi vendësve fitoren. Dejvi Bregu do të kalojë në epërsi Skënderbeun në minutën e 19-të, kur tregohet i saktë para portës.

Por Teuta do të reagojë menjëherë dhe 6 minuta më pas do të barazojë shifrat me anë të Kallakut, që godet saktë me kokë.

Pjesa e parë mbyllet me epërsinë e të zotëve të shtëpisë, që tundin rrjetën e Frashërit me penalltinë e ekzekutuar saktë nga kapiteni Dita.


Me rifillimin e lojës Teuta vendos menjëherë barazpeshën me çyrben që ndëshkon Koliçin brenda zonës.


Por emocionet nuk kanë përfunduar këtu sepse në të 74-ën është sërish Bregu që nuk fal, teksa pas stopimit në zonë gjuan fort dhe saktë duke rikthyer bardhekuqtë në avantazh.


Në minutën e 92-të Kallaku ka të gjitha shanset për ta mbyllur këtë takim në barazim, por Koliçi do të jetë monumental, teksa do ndalë numrin 10 të durrsakëve nga 11 metrat. Mbyllet 3-2 në Korçë, me Skënderbeun që ngjitet në kuotën e 32 pikëve, ndërsa Teuta mbetet me 35.