Prezenca e OSBE-së mbështet Shqipërinë në zbatimin e axhendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Zyrtarë të lartë shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të trupit diplomatik u mblodhën sot, në Tiranë, për të diskutuar arritjet në zbatimin e rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në Shqipëri, dhe hapat e mëtejshëm. Veprimtaria u organizua nga Prezenca e OSBE-së dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Shqipëria miratoi Planin Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në vitin 2018 dhe punon ngushtë me OSBE-në për ta përkthyer përkushtimin e saj ndaj grave në siguri në një kontribut të vërtetë e të prekshëm. Ne jemi plotësisht të gatshëm të mbështesim vendin në zbatimin e rezolutës 1325”, tha Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt.