Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda tha në Report Tv, se nga Operacioni “Forca e Ligjit” janë sekuestruar 20 pasuri të Lulzim Berishës me vlerë në miliona euro. Voda tha se në këto pasuri, përfshihen “sipërfaqe të mëdha toke, godina të mëdha shumëkatëshe, komplekse të mëdha, pallate në bregdet”. Zv.ministrja iu përgjigj edhe akuzave se Anti-KÇK po bën show me sekuestrime të pavlera. “Nuk mund të flasim për kasolle”, tha ajo, duke iu referuar pikërisht goditjes së fundit ndaj pasurive të Lulzim Berishës të cilat për herë të parë i deklaroi në “Repolitix” këtë mbrëmje.
‘Është një listë me rreth 20 pasuri, 2 aktivitete private, ndërkohë që ai ka deklaruar vetëm një bar kafe me qira. Është pikërisht ky aksesi në datebaset në kartelet e pasurisë dhe e drejta për të verifikuar pasurinë e personave të tretë që ka zbuluar këto pasuri. Është shumë shpejt për të paragjykuar operacionin forca e ligjit. Bëhet fjalë për sipërfaqe të mëdha toke, për godina të mëdha shumëkatëshe, shtëpi banimi, komplekse, është një listë shumë e madhe me vlerë miliona euro’, tha Voda.
Voda theksoi se këto prona janë të sekuestruara aktualisht dhe Lulzim Berisha do të duhet t’i vërtetojë burimin e tyre, madje edhe pronat e regjistruara në emër të personave të tretë duhet të vërtetojnë burimin e pasurisë. Zv.ministrja tha se akti normativ Anti-KÇK “i jep një dorë policisë për të qenë proaktive dhe të ketë më shumë akses”.
Lulzim Berishës, ish-kreut të bandës së Durrësit, Operacioni “Forca e Ligjit” ditë më parë i dorëzoi kërkesën për të dorëzuar një auto-deklaratë të pasurive të tij. Por nga përgjigjja që Berisha i ktheu OFL-së, kishte deklaruar vetëm një “një bar kafe, të cilin e ka me qira që prej 5 janarit 2018, dy autoboteve që furnizon me karburant anijet në port, një makinë tip BMW të blerë 1 milion lekë të reja në 2019 dhe zotërimin e 40 % të aksioneve në kompaninë REJAN, të cilën e ka në bashkëpronësi me motrën e tij Luljeta Berisha dhe Enkejleda Shoshi, e cila merret me furnizimin me karburant të anijeve të peshkimit. Në formularin e dorëzuar, Lulzim Berisha cilësonte se këto pasuri i ka të ligjshme dhe me dokumentacion përkatës.