Ndër vite dhe ndër shekuj kemi parë dhe kemi dëgjuar histori nga më të ndryshmet të dashurisë dhe se si ajo gjithmonë i’a del kundrejt çdo pengese.
Dashuria është një ndjenjë universale që nuk njeh moshë, gjini, besim, ngjyrë, por tejkalon çdo pritshmëri, thyen çdo limit dhe çdo paragjykim derisa arrin të triumfojë. E tillë ishte historia e Adhurimit dhe Elsuidës që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”.
Ata ishin njohur nga një telefonatë e rastësishme e bërë nga Elsuida dhe në këtë moment kishte lindur historia e tyre e dashurisë. Të rinjtë ndanin gjithçka me njëri-tjetrin në telefonata dhe pas një kohe të gjatë Adhurimi i kishte rrëfyer Elsuidës se ai i përkiste komunitetit egjiptian.
Sipas Adhurimit ngjyra e lëkurës së tij do të ishte një pengesë e madhe dhe se do të ishte pothuajse e pamundur që ata të ishin së bashku. Por dashuria që Elsuida kishte për Adhurimin ishte më e madhe se paragjykimet e familjes së saj, prandaj ata kishin vendosur që të “arratiseshin” dhe të martoheshin pa pëlqimin e tyre. Kishin kaluar 9 vite që nga largimi i Elsuidës nga familja e saj dhe që nga ajo kohë midis tyre nuk kishte komunikim.
Adhurimi kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falenderuar Elsuidën që nuk e braktisi dhe për t’i bërë një premtim asaj. “Të falenderoj që nuk më braktise pavarësisht fjalëve, por unë të premtoj se nuk do të të lë kurrë vetëm dhe se do të jem gjithmonë pranë teje!”
Programi “Dua të të bëj të lumtur” i kishte dërguar ftesën për të qenë në studio prindërve të Elsuidës, por fatkeqësisht ata nuk kishin pranuar. Moderatorja, Arbana Osmani tregoi se pavarësisht përpjekjeve të saj për t’i bindur që të ishin pjesë e programit, ata kishin refuzuar. Si përfundim, programi në bashkëpunim me “Geraldina Sposa” kishin menduar që të bënin realitet dëshirën e çiftit duke i’u dhuruar mundësinë që të zhvillojnë dasmën e ëndrrave.