Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi deklaroi sot se me zhvillimin e teknologjisë dhe ofrimin e gjithnjë e më shumë shërbimeve online kemi hapur një kapitull të ri për shërbimin ndaj biznesit.

“Kemi nisur një proces të aplikimit të shërbimeve online dhe brenda vitit besoj se të gjitha aplikimet e biznesit do të jenë online. Kemi filluar t’i transformojmë zyrat, por zyrat pa sisteme nuk kanë kuptim ndaj po investojmë fort në teknologjinë e informacionit dhe dixhitalizimin e proceseve që na lejojnë të gjurmojmë më mirë ankesat e biznesit”, tha Shalsi gjatë aktivitetit ku përfaqësues nga Telekom Albania dhe Ericsson bënë të ditur marrëveshjen e arritur për modernizimin e rrjetit të transmetimit.

Sipas tij, me ndërtimin e këtyre sistemeve mundësojmë adresimin e problemeve të biznesit, por edhe qytetarit. “Ne ishim koshient që largësia midis institucioneve apo administratës me biznesin apo qytetarin përbente problem, ndaj dhe vendosja e komunikimit si prioritet nënkuptonte një dëgjim më të mirë të sipërmarrjes, ballafaqim problematikash, apo analiza procesesh”, u shpreh ministri Shalsi.
Angazhimi ynë është maksimal, tha ai, për të adresuar drejtë çdo kërkesë e ankesë të sipërmarrjes.