Zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Maros Sefcovic, në konferencën e tij për shtyp theksoi se të gjitha 27 vendet anëtare kanë dhënë mbështetje të plotë për metodologjinë e re të BE-së për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe MV. ”Qasja e re u përshëndet nga të gjitha vendet anëtare. Kemi pasur mbështetjen e të gjitha vendeve”, deklaroi Shefçoviç.

Ai theksoi se në këshill ishte diskutuar edhe për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë si dhe për shtimin e pranisë së BE-së në Ballkanin Perëndimor, për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe për shtetin e së drejtës. Sekretarja kroate e Shtetit për Çështjet Europiane, Andrea Metellko-Zgombiq theksoi se për Kroacinë është i rëndësishëm që procesi i revizionit të metodologjisë dhe hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të shkojnë paralelisht.

“Për Kroacinë e rëndësishme është që dy proceset të ngelen paralele që të krijohen kushte për progres dhe të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kroacia do të jetë shumë aktive në këtë fushë”, deklaroi ajo. Këshilli i Çështjeve të Jashtme të BE diskutoi dje metodologjinë e re të procesit të zgjerimit. Këshilli i Çështjeve të Jashtme të BE do të mblidhet përsëri në muajin mars për politikën e zgjerimit për të nxjerrë përfundime dhe për t’u përgatitur për samitin e BE-së në mars, ku do të ketë një përpjekje të përtërirë për të arritur një konsensus midis shteteve anëtare, në mënyrë që të hapin dritën jeshile për pranimin e Shqipërisë dhe MV.