Tregtarët e shumicës që rrisin çmimet e fruta-perimeve apo mallrave të tjerë ushqimorë do të gjobiten me 5 milionë lekë, ndërsa 100 mijë lekë gjobë do të ketë për tregtarët e pakicës.
Kjo përcaktohet në aktin normativ të kryeministrit Rama, ku përcaktohen sanksione edhe për tregtarët në supermarkete apo edhe për farmacitë që abuzojnë me çmimet. Në rast se një subjekt kapet me përsëritje, i mbyllet aktiviteti për 6 muaj.
Vetë tregtarët e Pazarit e Ri, në Tiranë, njërit prej tregjeve më të frekuentuara, i cili ishte thuajse i boshatisur, thonë se askush nuk ka interes të ngrejë çmimet. Në markatën e peshkut janë hapur vetëm 4 dyqane dhe madje ka ulje çmimesh.
Ndërkohë, në tregjet e Vlorës, blerësit kanë ankesa të ndryshme për çmimet e rritura, jo vetëm të produkteve ushqimore. Tregtarët nuk pranojnë rritjen e çmimeve, duke thënë se nuk ka rritje drastike, edhe pse nuk mungojnë “të parregulltit”.
Ndërkaq, deri në mesditë, ka pasur 75 denoncime qytetarësh për rritje çmimesh, të cilët kanë telefonuar në numrin pa pagesë 08001414, ndërsa janë marrë edhe masa administrative për abuzuesit.