Nga ARTUR AJAZI
Pas tërmetit, duket se mposhtja e koronavirusit, do të jetë fitorja e dytë e Edi Ramës. Dhe kjo aspak për faktin se gjithçka e ka një fund, por Edi Rama, tanimë e ka vërtetuar botërisht se është njeriu i sfidave, se është politikani simbol që ringre atë që shembet, të asaj që preket nga e keqja, duke treguar jo artificialisht se është aftësisht i lindur për beteja të tilla,dhe njëherësh i krijuar nga Zoti për të fituar. Edi Rama, si askush tjetër në këto 30 vjet, ka patur një “malore” të vështirë dhe të gjatë sfidash dhe suksesesh, që ka vazhduar edhe pas ditës kur erdhi në pushtet, prej të cilës ai gjithmonë ka gjetur shtigje të reja për të dalë triumfues.
Ringritja e shtetit nga balta, nga përdhosja, nga hiçi, nga bataku ku ishte futur, nga aty ku e kishin lënë ata që sot janë ngujuar në SHQUP, vendosja e ligjit në binarë, rikthimi i shtetit dhe administratës në punë, futja e mentalitetit të punës në grup, ka sjellë frytet e veta në qeverisjen Rama. Shqipëria është sot vendi me rreputacion në rritje dhe dinjitet të padiskutueshëm në kancelaritë europiane , mjafton të kujtojmë ç’ka bota afroi dhe bëri për ne pas tërmetit. Rama ka sot një bilanc të pasur me fitore, ku ndër më kryesoret janë drejtësia, dhe autoriteti shtetit ligjor. Menaxhimi situatës post tërmetit, ishte një veprim i shkëlqyer dhe një sfidë e fituar nga Rama, falë punës në grup, falë seriozitetit dhe angazhimit serioz të një shteti që ecën mbi rregulla dhe ligje.
Por ende pa u “tharë” boja e firmës së tërmetit, Edi Rama ka rastin të përballet sërish me një sfidë të re, kësaj here të padukshme, me koronavirusin. Një sfidë përtej të padukshmes, ku Rama ka vendosur të fitojë, pasi ka vendosur të zbatojë deri në fund rregullat strukte të specialistëve të sistemit shëndetsor, vendimet e OBSH, dhe ligjin në raste të tilla. Edi Rama do të fitojë sërish, falë aftësive, kapaciteteve dhe mundësive menaxheriale që ka sot shteti shqiptar, dhe falë mbështetjes nga ndërkombëtarët. Shqipëria nuk ka qenë, dhe nuk është vetëm. Qeveria shqiptare punon në grup, me qeveritë e tjera europiane edhe në përballimin e sfidave të tilla rajonale dhe botërore. Mesazhet dhe thirrjet njerëzore të kryeministrit, kanë qenë dhe mbeten “ilaçi” më i mirë për situata të tilla. Ajo ç’ka ishte në kufijtë e të paimagjinueshmeve, tanimë është realitet i pafshehur nga qeveria shqiptare, por me një ndryshim, Edi Rama ka vendosur ti prijë deri në fund një beteje për të cilën ai beson se do ta fitojë. Edhe kësaj here, ai ka vendosur të zbresë i pari në terren, të futet deri në celularin e çdo qytetari, duke i rikujtuar këshillat e vlefshme.
Si një “komandant” i zoti, Rama sot është bërë pjesë e çdo qytetari që ka frikën dhe ankthin për të nesërmen, duke i dhënë shpresë, kurajo, dhe besim se, edhe kjo betejë me të keqen do të fitohet nga ne. Duke vlerësuar si asnjë tjetër rolin e mjekëve dhe infermierëve, Edi Rama ka ngritur sot më shumë se kurrë moralin dhe dinjitetin e tyre, ka rizgjuar besimin se ky vend do të bëhet, dhe se shqiptarët do ta mposhtin edhe kësaj here të keqen. Sa për ata që shpresuan “pushtet” në kohën e “S- virusit”, Edi Rama, ua ka lënë shqiptarëve tu japin përgjigjen surprizë, jo sot, por kur tu vijë dita.