Gjatë kontrolleve dhe inspektimeve të kryera nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, për zbatimin dhe respektimin e masave të urdhëruara nga qeveria, është bllokuar një fasoneri në qytetin e Vlorës, që vijonte aktivitetin e tij edhe pse kryeministri Rama urdhëroi mbylljen e tyre në kushtet e emergjencës. Mbyllja e fasonerisë në Vlorë ndodhi gjatë inspektimeve ditën e sotme, e cila u shoqërua edhe me një gjobë sipas legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu ISHSH deklaron se gjatë 12 dhe 13 marsit janë kryer gjithsej 43 inspektime dhe 1625 monitorime në Tiranë dhe Durrës, ku të gjitha subjektet e përcaktuara nga urdhëri i qeverisë ishin mbyllur, ndërsa aktivitete që vijonin të qëndronin hapur kanë zbatuar të gjitha masat e posaçme dhënë për situatën dhe frenimin e përhapjes së koronavirusit.

ISHSH është në terren gjatë gjithë kohës dhe ditëve të ‘shtetrrethimit’ pikërisht për të kontrolluar respektimin e rregullave dhe masave që janë dhënë për të parandaluar sa më shumë përhapjen e COVID – 19.