Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, i caktuar nga Kryeministri për menaxhimin e planit për COVID-19, ka folur për 7 pikat e planit financiar në një intervistë për Euronews Albania. Z. Ahmetaj u shpreh se, paratë për këtë plan janë siguruar nga rialokim i shpenzimeve dhe zgjerimi fiskal, ose rritje e deficit. Ministri i Rindërtimit deklaroi se bashkë me planin financiar për COVID-19, borxhi publik i Shqipërisë do të arrij në 67% të prodhimit të brendshëm bruto.

Ministri i Rindërtimit, nënvizoi se plani financiar nuk parashikon ndërhyrje në investimet publike që janë parashikuar për vitin 2020. “Në planin A nuk është prekur asnjë investim publik, përveç disa koncesioneve”, deklaroi z. Ahmetaj duke shtuar se si instrument plani mbulon një afat prej 3 muaj.

Ndërsa për ndihmën që do t’u ofrohet bizneseve, ministri tha se, do t’i garantohet kredi me interes të ulët përmes garancisë së sovranit. Z. Ahmetaj u shpreh se, përveç ndikimit të menjëhershëm, situata e krijuar nga coronavirus mund të sjellë efekte më të rënda në plan afatgjatë. Në rast se do të sjellë ngadalësim të madh të ekonomisë, atëherë qeveria ka si opsion dhe një plan B.

“Ne shohim risqe të tjera, sepse ngadalësimi ekonomik do të jetë i madh dhe pas kësaj do të kemi një plan B. Të shpëtojmë jetë dhe të ngadalësojmë rënien ekonomike që të mos kalojmë në kolaps. Ne nuk jemi në kolaps, por jemi në ngadalësim serioz të rritjes ekonomike”, deklaroi ai.

Ministri i Rindërtimit nuk foli në detaje për planin B, por la të kuptohet se, në rast se do të nevojitet do të thotë se ekonomia e vendit do të jetë në gjendje shumë të vështirë. “Planin B e ka në tryezë Kryeministri, por mos shkofshim atje”, u përgjigja ai shkurt.

Madje duke folur për situatën e rëndë, ministri u shpreh se këto mund të jenë ditët më të vështira që mund të ketë kaluar në zyrat e shtetit. “Kemi dy armiq, armiku i shëndetit publik që është virusi dhe tërmeti. Kurrizi i shtyllës kurrizore të ekonomisë shqiptare nuk është prej çeliku”, tha ndër të tjera z. Ahmetaj.

I pyetur nga gazetarja Ilva Tare se, sa rezerva ushqimore ka në vend, z. Ahmetaj u përgjigj se, “kemi mbi 1 muaj e gjysmë nga diskutimet që kemi pasur me bizneset ushqimore”. “Nuk kemi fare probleme me ushqimin. Furnizimet nga jashtë dhe nga brenda vijojnë normalisht”, deklaroi z. Ahmetaj.