Zyra e Kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një deklarate pas reagimit të mbrëmshëm të zyrtarëve të lartë amerikan, Richard Grenell dhe Mtthew Palmer.
Komunikata e plotë:
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës e vlerëson Deklaratën e Përbashkët nga i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mattheë Palmer, dhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett, si rikonfirmim se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë pranë popullit të Kosovës, dhe se ato mbështesin angazhimin e institucioneve tona shëndetësore për tejkalimin e situatës me COVID-19. Në të njëjtën kohë, thirrjet e tyre për t’u respektuar Kushtetuta, çmohen po aq lart.
Mbi çështjen e tarifës, me vendimin e Qeverisë së datës 20.03.2020 kemi bërë një hap të rëndësishëm duke liruar nga tarifa 100% produktet e lëndës së parë të cilat importohen nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Për Qeverinë në detyrë të Republikës së Kosovës është tejet i rëndësishëm fakti se në Deklaratën e Përbashkët thuhet se nuk ekziston një plan i fshehtë për ripërcaktim kufijsh dhe se i dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell, nuk e ka parë dhe as diskutuar një plan të tillë.
Kjo paraqet një mbështetje dhe inkurajim për Qeverinë në detyrë. Por, për ne thirrjet e vazhdueshme të Presidentëve Thaçi dhe Vuçiq (korrigjim kufijsh me kompromis të dhimbshëm, veriu si dhuratë e Rankoviqit, razgraničenje, etj.) vazhdojnë të jenë kërcënim, dhe që nga gushti i vitit 2018, ato janë përsëritur nga dy presidentët të cilët kanë vendosur lidhje të shkurtër me njëri-tjetrin pa ndërmjetësim ndërkombëtar.
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të udhëhiqet nga Qeveria, përkatësisht Kryeministri i Republikës së Kosovës, sipas parimeve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dialogu duhet të rifillojë i përgatitur mirë, të ketë qëllim njohjen e ndërsjelltë si dy shtete sovrane dhe me integritet territorial, për marrëveshje të qëndrueshme si garant për normalizim të marrëdhënieve bilaterale dhe paqe e siguri në rajon.