Nga Gjergj Marku/
Bota mbarë duket sikur e ka mbajt frymën. Tashmë nuk funksionon ma teoria “larg meje”, sepse si aziatiku apo amerikani, si ai në Pol të Veriut apo tjetri në të Jugut, pothuaj jemi njëlloj të prekshëm, ose më së paku të themi nuk jemi “të paprekshëm”; si ai më i pasuri i Globit e po ashtu ma fukaraja i dynjasë, nuk mund të thuhet se janë të paprekshëm; si ai me ngjyrë apo si ai nordiku bardhosh, kjo flamë vdekjeprurëse, nuk ban dallim për askënd.
Sot, mendoj se duhet kuptuar më së miri se është vënë përballë një armiku të rrezikshëm finok e dinak, “njeriu global”. Bëj pjesë tek ata që besojnë fort se bota do t’ia dalë edhe pse me humbje marramendëse në shumë e shumë gjëra, që do u kalkulohen bilancet më vonë, por ama besoj e mendoj se bota do të jetë krejt ndryshe pas kësaj pandemie virusale. Sepse bota, deri më tash, ka qenë e pavëmendshme, madje egoiste deri ne esktrem. Sekush shtet (sidomos të fuqishmit) kanë garuar për supërmaci politike dhe ekonomike, dhe pak se janë kujtuar për rendin global, për jetën globale.
Vazhdoj të mendoj se jo pak shtete të fuqishme e kanë matur fuqinë dhe krenarinë e tyre tek sofistikimi i armëve nukleare, tek bombat dhe armët inteligjente. Pa e kuptuar se një ditë vjen një “armik fare i vogëlth, mikroskopik”, që siç thotë populli, “t’i p***rr” të gjitha armët tuaja të sofistikuara! (Ndjesë për fjalorin). E në fakt, ky “armik-mikro”, duam s’duam, e ka arritur qëllimin e tij, vuri në siklet e krizë tan botën anembanë, na llahtarisi të gjithëve, nga njeriu më i thjeshtë e deri tek shtetarët e fuqishëm të globit si Merkel apo Trump, sepse ai arriti ashtu pa “pushkë të shtime” për t’u shkuar deri në tavolinat e tyre!
E kjo na kujton një mendjelehtësi të botës, sidomos të shteteve të zhvilluara, atyre që përmes parasë e fuqisë ekonomike, e kanë shpënë njeriun deri në Hënë e në Mars, e larg e më larg. Mendjelehtësia, fillon tek mospërfillja e shkencëtareve humanë, apo aktivistëve të shoqërisë civile gjithandej, që e kanë paralajmëruar rrezikun global sa e sa herë. Prsh, themeluesi i Microsoft, Bill Gates ka bërë një parashikim të habitshëm për koronavirusin tash 5 vite.
Që asokohe ai paralajmëron se bota ka investuar shumë për bomba dhe aspak për përballimin e një pandemie virusale. Kriza më e madhe nuk do të vijë nga bombat atomike, tha ai më 19 mars të vitit 2015, por nga përhapja e një virusi. Teknologjia mund të luajë një rol të madh në parandalimin e përhapjes së një virusi”, i tha ai audiencës dhe shtoi: “Mund të bëhemi gati, nuk ka nevojë për panik. Nuk kemi nevojë të mbledhim kanaçe makaronash dhe të fshihemi në bodrume”.
Nisur nga ky paralajmërim e shumë e shumë levizje te tjera humane, mendoj se pas kësaj kataklizmoje virusale, BOTA, si një e TËRË, do të jetë ndryshe. Këto kohë që po i kalojmë me aq ankth e frikë, pos të tjerash, do të shërbejnë jo vetëm për të mbajt frymën nga njëlloj paralize globale të jetës, por dhe për të nxjerrë mësime. Vetëm një botë më humane do mund të shmangë situata të tilla. Një botë që do ta shohë njeriun “të parin”, dhe jo garën e shfrenuar të armatimit e të pasurimit me çdo mënyrë e çdo mjet. Një botë që do ta kultivojë qytetarin e vet global, që të kujdeset për jetën, jo kur i vjen një virus tinzar tek dera, por ditë e përditë. Një botë që i nxit qeverisjet qëndrore apo lokale, që të kujdesen për mjedisin, ta bëjnë qytetarin e çdo vendi, që ta konceptojë atë mikromjedisin ku jeton, si të Gjithkujt e jo thjeshtë të Univetos.
Sepse tashmë, mendoj se kushdo prej nesh e ka kuptuar, thjeshtë duhet “pacienti zero”, në një cep fare të vogëlth të kësaj dynjaje të madhe, për t’u shndërruar në pandehminë e mijëra, miliona dhe milalarda njerezvë të kësaj bote. Pra, sipas mendimit tim, tash e tutje, Bota duhet të fillojë të mendojë e punojë seriozisht për shkencën zbuluese e parandaluese në njërën anë dhe për të edukuar “qytetarin e vet global” në anën tjetër!