Nga Mero Baze
Udhëtimi i 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali ka ngjallur një ndjenjë krenarie tek shqiptarët. Përveç ndonjë politikani idiot, që mendon se ata janë 30 të dërguarit e Edi Ramës, shqiptarët pa diskutim ndjehen krenarë që mundën t’i ofrojnë diçķa Italisë, në këto momente.
Por ata nuk janë 30. Në spitalet e Italisë, ka qindra mjekë dhe infermierë shqiptarë, që tashmë jetojnë në Itali dhe janë pjesë e sistemit shëndetësor të Italisë. Falë Italisë, që na priti më 1991, ashtu të uritur, të paveshur dhe të pashpresë, ne kemi sot qindra mjekë dhe infermierë të tjerë, që janë po ashtu në vijën e parë të luftës me këtë epidemic, si italinë të devotshëm. Dhe kjo është arsyeja kryesore pse ne sot ndjehmi të gjithë mirë. Se Italia na ka bërë pjesë të shoqërisë së saj këto 30 vite.
Ndoshta 30 të dërguarit e sotëm nuk janë shpëtim për Italinë, por ata janë sot pasaporta jonë krenare, në vendin që na është gjendur pranë më shumë se çdo vend tjetër në ditët tona të vështira.
Ata më shumë se Italinë dhe italianët, ndihmojnë imazhin tonë, por dhe mjekësinë tonë. Pas një muaji ne do të kemi 30 luftëtarë të sprovuar në vijën e parë të zjarrit, për të vazhduar betejën në Shqipëri. Do të kemi 30 luftëtarë që dinë të luftojnë dhe dinë të mbrohen nga ky armik tinzar.
Arsyeja pse ata kanë ngjallur krenari në Shqipëri, lidhet me atë çfarë Italia ka bërë për ne më 1991, më 1997 dhe më 2020, pas tërmetit shkatërrimtar.
Por përtej viteve tona të vështira, kjo ndjenjë është e lidhur me mënyrën se si shqiptarët janë integruar në Itali, me mungesën e racizmit ndaj tyre dhe me natyralizimin e tyre me jetën dhe shoqërinë italiane.
Italia është vendi me të cilin çdo shqiptar identifikon Perëndimin, vlerat europiane, jetën e bukur, suksesin e munguar në atdhe. Eshtë atdheu rezervë, në mendjen e çdo shqiptari. Atdheu i dytë, i cili vetëm na kanë dhënë.
Do të mjaftonte vetëm krenaria që qindra mijëra shqiptarë emigrantë në Itali, ndjejnë në këto momente përballë fqinjëve të tyre italianë, që ky gjest të hyjë në histori për mirë.
Ata nuk janë Supermenët që do ndalin të keqen në Itali, por ata janë dallandyshet që mund të çojnë shpresë tek një vend që ndjehet i braktisur, në kulmin e një traume të madhe.
Ata 30 bluza të bardha janë sa dhjetëra batalione ushtarësh që mund të dërgonim në Irak, Afganistan apo vende të tjera, ku popujt përballen me vdekjen nga lufta. Janë shumë herë më tepër se gjithçka mund të bëjmë, për një botë më të mirë.
Ne jemi vet një vend në luftë. Jemi vet, një vend pa spitale të mjaftueshme, pa aspiratorë të mjaftueshëm, pa maska dhe tamponë të mjaftueshëm, si shumë vende të tjera. Mungesat janë arma më e fortë që epidemia prodhon në betejën e saj kundër njerëzimit, pasi shumëfishon nevojat e shëndetësisë normale. Solidariteti është e kundërta e saj. Ideja se në këtë luftë mund të mos jemi vetëm, e bën më shpresdhënëse këtë betejë.
Ndaj ka rëndësi të kuptohet, se në çdo vend tjetër, nëse nisim mjekë dhe infermierë, askund tjetër nuk do të bëjmë kaq shqiptarë të lumtur, se sa kur i nisim në Itali. Kjo lidhet me faktin se ai është vendi që nuk na ka lënë të vdesim dhe duhet t’ia kujtonim një ditë këtë. Duhet që ata emigrantë që janë aty, të ndjehen një ditë krenarë, që atdheu i tyre po bënë diçka për vendin që u dhuroi një jetë të dytë.
Ndaj ata nuk janë 30 mjekë e infermierë. Janë 30 misionarë për t’i kujtuar Italisë, se nuk ia kemi harruar atë që ka bërë për ne.
Ngjan pak si udhëtimi i Skëndërbeut për tiu gjendur pranë Dukës së Napolit. Por është më e rëndësishme për shqiptarët, se sa për Italinë. I bën ata sot, të ndjehen italianë.